Vendosni fjalën kyçe....

Do fliste për çështjen “Klan Kosova”, gazetarët bojkotojnë konferencën e ministres


Gazetarët e bojkotuan të martën një konferencë për media të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, në të cilën ajo doli të fliste për çështjen e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

Ministria e udhëhequr nga Hajdari e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës më 28 korrik, duke hapur rrugën për mbylljen e televizionit.

Një gazetare e Klan Kosovës e bojkotoi e para konferencën e ministres Hajdari më 1 gusht në Prishtinë, dhe hapat e saj i ndoqën edhe mediat e tjera duke dalë nga salla njëkohësisht.

Bojkoti ndaj ministres së Qeverisë së Albin Kurtit vjen vetem një ditë pasi gazetarët protestuan në sheshet e Prishtinës kundër vendimit.

Më 28 korrik, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për shfuqizimin e pezullimit të certifikatës së biznesit saj.

MINT-i kishte ngritur fillimisht kallëzim penal ndaj Klan Kosovës më 14 qershor, me pretendimin se në certifikatën e biznesit, te ndërrimi i pronarëve, figuron “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

Pas kësaj, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve, ARBK, ia anuloi certifikatën e biznesit Klan Kosovës, para se ta shfuqizonte vendimin më 21 qershor. Megjithatë, një ditë më vonë, ARBK-ja anuloi vendimin e 21 qershorit.

Ky vendim i ARBK-së riktheu në fuqi masën e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit privat më 22 qershor.

Klan Kosova u ankua menjëherë në Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve, i cili më 28 korrik vendoi t’ia hedhë poshtë ankesën dhe ta konfirmojë përfundimisht pezullimin e certifikatës së biznesit të saj, duke theksuar se ARBK-ja kishte “vepruar në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës”.

MINT-i e akuzon televizionin se e “ka shkelur Kushtetutën e Kosovës” duke i “paraqitur dy qytete të Kosovës, Pejën dhe Gjakovën, si pjesë të Serbisë” në dokumentet e regjistrimit të kompanisë.

“Vetë fakti që përfaqësuesit e Klan Kosovës sh.p.k., pas kaq shumë vitesh, kanë nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë”, thuhej në njoftimin e MINT-it më 28 korrik.

Klan Kosova i ka mohuar akuzat dhe i ka quajtur gabim teknik lëshimet në dokumentet e regjistrimit.