Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Bashkë me kanabisin në Lezhë u shkulën dhe dy oficerë në ortakëri me trafikantët


Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur veprimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore e cila dërgoi në pranga dy ish-oficerë të policisë Lezhë.

Balla thekson se pa mbështetjen nga radhët e policisë nuk ka mundësi që të mbillet asnjë rrënjë kanabisi.

Ai thotë se vetëm spastrimi i vatrave të krimit brenda dhe jashtë policisë mund ta çojë Shqipërinë në një nivel tjetër.

Kur në adresimin e parë për Policinë e Shtetit thashë se një rrënjë e vetme kanabisi nuk ka shans të rritet, pa një polic që paguhet për të mos e parë apo se një parcelë kanabisi nuk ka një mundësi të vetme të korret, pa një shef komisariati që paguhet nga trafikantët për të mos e shkulur, kisha parasysh këtë që vetëm sa ka nisur sot.

Policia e Shtetit po godet për shkuljen deri në fund të kultivimit të paligjshëm nga mendjet e atyre që gënjejnë veten se meqë sot ka më pak kanabis se dje, ne do të flemë mbi dafina! Sot bashkë me rrënjët e paligjshme janë shkulur edhe dy oficerë policie në Drejtorinë Vendore të Policisë në Lezhë, të cilët ishin në ortakëri me trafikantët. Ata tani janë në duart e drejtësisë.

Përgëzoj Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për dokumentimin e plotë të provave në kuadër të këtij procedimi penal dhe përfundimit të hetimeve në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithshëm Lezhë, ku bashkë me punonjësit e policisë është goditur edhe një grup kriminal.

Shpreh besimin se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”- shkruan Balla.

Njoftimi i AMP-së:

Pas një hetimi 2 vjeçar, me metoda speciale hetimi, Agjencia e

Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë) në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në funksion të procedimit për veprat penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” dhe “Shpërdorimit të detyrës”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatëss së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 4 persona:

– S.XH., 27 vjeç, ish punonjës policie me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Lezhë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”;

– K.N., 28 vjeç ish punonjës policie me detyrë Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Lezhë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”;

– K.L., 28 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivim të bimëve narkotike”;

– E.Ç., 30 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivim të bimëve narkotike”.

Nga operacioni i zhvilluar për ekzekutimin e masave të sigurisë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i ish-punonjësit të policisë S.XH. dhe shtetasit K.L.

Ndërsa u shpallën në kërkim ish-punonjësi i policisë K.N. dhe shtetasi E.Ç.