Vendosni fjalën kyçe....

Banka Botërore dërgon 1.5 miliardë dollarë në Ukrainë


Banka Botërore ka transferuar 1.5 miliardë dollarë në Kiev përmes fondit të mirëbesimit për avancimin e rritjes së kredisë së nevojshme për Ukrainën, njoftoi të enjten Ministria e Financave e Ukrainës.

“Fondet e mbledhura do përdoren për rimëkëmbjen ekonomike dhe forcimin e sigurimeve shoqërore për popullatën,” citohet të ketë thënë ministri i Financave Sergej Marchenko.

Transferimi u krye me garanci nga qeveria japoneze.

“Unë jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Ukrainës nga qeveria japoneze gjatë presidencës së tyre në G7, si dhe nga ekipi i Bankës Botërore,” shtoi Marchenko.

Ministria vuri në dukje se që nga fillimi i operacionit ushtarak të Rusisë kundër fqinjit të saj, Kievi ka marrë më shumë se 581 milionë dollarë ndihmë financiare përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

Sipas ministrisë, autoritetet ukrainase presin të marrin 2 miliardë dollarë të tjerë nga Tokio për mbështetje të drejtpërdrejtë buxhetore me anë të fondit ADVANCE të Bankës Botërore.