Vendosni fjalën kyçe....

Qeni i Biden kafshoi 7 agjentë të Shërbimit Sekret brenda 4 muajsh – Raporti


Qeni i presidentit amerikan Joe Biden kafshoi shtatë persona gjatë një periudhe katërmujore, duke përfshirë një agjent të Shërbimit Sekret i cili u shtrua në spital me lëndime në krah dhe këmbë, sipas emaileve të brendshme të marra nga aktivistët konservatorë.

Qeni është i dyti nga kafshët shtëpiake të Biden që ‘terrorizoi’ Shtëpinë e Bardhë.

Ngjarja më e rëndë ndodhi nëntorin e kaluar, kur pastori gjerman i quajtur ‘Komandanti’ – atëherë një vjeç – kafshoi një agjent që ishte ulur, duke e dëmtuar në krah e kofshë dhe duke i shkaktuar shumë himbje. Agjenti u dërgua në një spital vendas nga zyra e mjekut të Shtëpisë së Bardhë dhe u hoq nga detyra aktive për tre ditë pas sulmit.

“Çfarë talljeje, nëse nuk do të ishte qeni i tyre, ai tashmë do të ishte eliminuar”, i shkroi një mik i agjentit kolegut të tij të plagosur dy ditë më vonë.

Biden e mori ‘Komandantin’ në dhjetor 2021, disa muaj pasi pastori i tij më i vjetër gjerman, Champ, ngordhi në moshën 13-vjeçare. Pastori tjetër gjerman i Biden, ‘Majori’, u dërgua në shtëpinë e familjes në Delaëare për kafshimin e përsëritur të agjentëve të Shërbimit Sekret.

“Kjo është një lloj e veçantë çmendurie dhe korrupsioni ku një president do lejonte qenin e tij të sulmonte dhe të kafshonte në mënyrë të përsëritur personelin e Shërbimit Sekret dhe të Shtëpisë së Bardhë”, tha presidenti i Judicial Watch, Tom Fitton të martën.

‘Komandanti’ ka sulmuar edhe gjashtë persona të tjerë. Ai kafshoi një oficer tjetër në këmbë një javë më vonë, i gërvishi lëkurën e dorës një agjenti muajin tjetër dhe kafshoi një teknik në shpinë në shtëpinë e Biden në Delaëare në janar.

“Pothuajse çdo zyrtar në dhomë me mua sot foli për incidente specifike që rrethonin qenin e familjes presidenciale,” u shkroi një inspektor i Shërbimit Sekret kolegëve të tij pas një takimi në dhjetor.

Të gjitha incidentet e raportuara nga Judicial Watch ndodhën midis tetorit 2022 dhe janarit të këtij viti. Është e paqartë nëse ‘Komandanti’ sulmoi dikë tjetër në muajt e mëparshëm apo më pas, por qeni vazhdon të banojë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një email drejtuar Associated Press, drejtoresha e komunikimit e Zonjës së Parë Jill Biden, Elizabeth Alexander, i minimizoi incidentet. Shtëpia e Bardhë është ‘një mjedis unik dhe stresues’ për kafshët shtëpiake, shkroi ajo, duke shtuar se familja Biden ‘po punon për ta bërë këtë situatë më të mirë për të gjithë’.