Vendosni fjalën kyçe....

Vodhi një palë syze në aeroport, dorëhiqet kreu i partisë së majtë norvegjeze


Udhëheqësi i partisë së majtë norvegjeze ‘Red’, njëherazi deputet, Bjornar Moxnes, dha dorëheqjen të hënën pas një skandali që shpërtheu pasi ai u kap duke vjedhur syze dielli në aeroportin e Oslos në mes të qershorit.

Në postimin e tij të fundit në Facebook, Moxnes shpjegoi vendimin për të dhënë dorëheqjen duke thënë se ai është i vetmi përgjegjës për atë që ndodhi dhe se nuk do që gabimet e tij të prekin njerëzit më të afërt me të, duke shtuar se edhe miqtë e tij ishin shënjestruar publikisht. Politikani u ka bërë thirrje gjithashtu kolegëve të tij që të ‘përqendrohen te politika’ përpara zgjedhjeve të ardhshme të vitit 2023.

Duke pranuar fajin, Moxnes tha se mënyra se si ai ‘e trajtoi më tej’ – ai u akuzua për ndryshimin e versionit të asaj që ndodhi disa herë – e përkeqësoi situatën. Fillimisht ai tha se i mori gabimisht syzet ‘Hugo Boss’.

Më vonë, politikani postoi një reagim tjetër në Facebook, duke pretenduar se gabimisht mendoi se syzet e diellit ishin të tijat dhe më pas, në vend që t’i kthente në dyqan, ai grisi çmimin, duke thënë se ‘e kishte zënë paniku dhe kishte frikë se si do dukej’ nëse do kthehej në dyqan.

Më 30 qershor, media norvegjeze NRK raportoi se policia e kishte akuzuar politikanin për vjedhje ‘me qëllim për të përfituar një mall të pajustifikuar për veten ose të tjerët’, duke mbështetur akuzat me pamjet CCTV.

Të njëjtën ditë, Moxnes tha se ishte gjobitur me 3,000 korona norvegjeze (pak më pak se 300 dollarë) për vjedhje në dyqan. Më pas ai mori pushim për arsye mjekësore, duke ia kaluar frenat e partisë Marie Sneve Martinussen, e cila e mori drejtimin përkohësisht.

Megjithatë, Moxnes nuk mund të heqë dorë nga mandati si deputet sepse rregullat në fuqi e ndalojnë dorëheqjen nga një detyrë e zgjedhur.