Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi mesazh Bashës: Zgjedhjet për kreun e PD-së më 29 korrik të pavlefshme


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka hedhur poshtë akuzat nga grupi i Bashës se është në marrëveshje me Berishën.

Në një intervistë për gazetaren Elona Meço në emisionin ‘Pa Censurë’ në RTSH, Bardhi tha se akuzat në fjalë vijnë nga persona që ndjekin interesin personal de që bëjnë të kundërtën e asaj që kanë thënë deri para një viti, duke nënkuptuar ish-kreun e PD-së Lulzim Basha.

Ai theksoi se nuk bën asnjë mmarrëveshje për interesa personale ndërsa shtoi se

“Është alibia e atyre që kanë vendosur që për interesat e tyre personale të bëjnë të kundërtën e atyre që kanë thënë deri para një viti. Para një viti për z. Berisha isha i shitur tek Edi Rama, sot për një pjesë brenda partisë jam i shitur tek z. Berisha. Mesa duket me këtë tregojnë atë që ata do mund të bënin, nëse do kishin në dorë këtë që kam unë. Unë as nuk shitem, as nuk blihem, as nuk bëj marrëveshje për interesa personalë. Nëse do ta kisha bërë këtë do të kisha patur një qendrim tjetër mbi atë që po ndodh sot në PD.” – tha Bardhi.

Ai sqaroi më tej se mes tij dhe Sali Berishës nuk ka ndryshuar asgjë dhe se mbi qëndrimet e Berishës ndaj tij duhet pyetur ish-kryeministri.

“Përsa më përket, mes meje dhe zotit Berisha nuk po ndodh asgjë. Për qendrimin e z. Berisha duhet të pyesni atë. Është e çuditshme sesi më kërkohet mua llogari për qendrime që z. Berisha mban ndaj meje. Nuk e kontrolloja dot z. Berisha, kur më sulmonte, nuk e kontrolloj dot, kur më lavdëron. Nga z. Berisha kam marrë duartrokitje jo për qendrime që kanë lidhje me PD, por për qendrime në raport me Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Në atë seancë kam marrë duartrokitje edhe nga z. Basha dhe nga kolegë të tjerë. Edhe unë, do të duartrokas sa herë që z. Berisha, z. Basha, një koleg, qytetar të bëjë një aksion apo të ketë një qendrim ndaj qeverisjes, nuk ka asgjë për t‘u habitur” – shtoi numri dy i selisë blu.

Bardhi theksoi se PD-ja dhe fronti opozitar duhet të jetë i bashkuar në luftën ndaj Edi Ramës. Ai pohoi gjithashtu se në shtator është i gatshëm të ulet me gjithë faktorin opozitar për bashkërendimin e aksonit.

“Ne do duhet të ulemi për të parë kush janë zgjidhjet më të mira për PD dhe për të gjithë opozitën në tërësi. Deri tani nuk ka ndodhur, por secili ka qendruar i veçuar në qendrimin e tij dhe ne nuk kemi patur mundësi të ballafaqojmë qendrimet se cila është rruga më e mirë për ta forcuar PD dhe opozitën. Nëse secili ecën me mendjen e vet dhe vazhdon luftë brenda llojit, e sigurtë është që ne do të dobësohemi dhe Edi Rama do të forcohet.” – theksoi Bardhi në emisionin ‘Pa Censurë’.

Lidhur me çështjen e vulës së partisë, Bardhi tha se vendimi i marrë nga kryesia për t’i hequr atij të drejtën e mbajtjes dhe përdorimit të vulës është antistatutor.

“Vulën e kanë institucionet e PD, ato institucione që statuti i ka ngarkuar me kompetenca dhe detyra statutore. Sipas statutit protokollimi, arkivimi, administrimi i vulës dhe me radhë është e drejtë e Sekretarit të Përgjithshëm. Kryesia e partisë nuk ka asnjë kompetencë lidhur më këtë çështje. Kjo nuk është betejë kush mban vulën. Beteja që po bëj nuk bëhet as për vulë, as për karrige. Ia kam lënë të tjerëve këtë. Beteja ime është që PD të mos shkojë nga një përçarje në një përçarje tjetër, që e zvogëlon PD. Proceset që lidhen ngushtë me interesat e një individi as nuk i kam mbështetur, se nuk i mbështes.” – tha Bardhi, pasi 15 anëtarë të kryesisë vendosën për t’ia dhënë këtë detyrë Sekretarit Zgjedhor.

Në fund Bardhi tha se procesi i thirrur në 29 korrik për zgjedhjen e kreut të ri të PD-s është i pavlefshëm.

“Kushdo mund të kryejë procese që janë jostatuore. Mund t’i kryejë në shtëpi, në kafe.  Ajo që di unë se në 29 korrik nuk ka zgjedhje për kryetar të PD për sa kohë nuk ka një vendim të Këshillit Kombëtar. Pastaj, kushdo mund t’i vendosë një kurorë vetes dhe thotë se është mbreti i Anglisë, thotë se është kryetar i partisë, por kryetar partie bëhesh sipas rregullave të bashkëjetesës që përcaktohen në statut. Kushdo është i lirë të vetëshpallet çfarë ka dëshirë, e rëndësishme është çfarë është statutore, çfarë është e ligjshme.” – mbylli Bardhi.