Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka shprehur qartë kundërshtinë e tij ndaj kandidimit të Lulzim Bashës për kreun e partisë.
I ftuar në emisionin ‘Now’ me Erla Mëhillin në Euronews.al, Bardhi, dikur krahu i djathtë i Bashës, tha se rruga në të cilën ka hyrë ish-kryedemokrati është e gabuar dhe do dëmtonte interesat e partisë dhe të demokratëve.
Gjatë intervistës Bardhi tha se di disa të vërteta për Bashën, të cilëat do i zbulojë më vonë.
Deputeti demokrat shtoi gjithashtu se lufta e tij është ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij dhe se nuk do merret me individë të tjerë por theksoi se do i përgjigjet me të vërteta baltës që të tjerët duan të hedhin ndaj tij.
“Kam një lloj frenimi në aspektin njerëzor ndaj Lulzim Bashës sepse kam qenë bashkëpunëtori i tij më i ngushtë. A e mbështes në këtë rrugë që ka hyrë? Jo nuk e mbështes. Mendoj që është një rrugë e gabuar, mendoj që është një rrugë që e dëmton Partinë Demokratike të Shqipërisë, dëmton interesat e demokratëve. Baltën unë e përball me të vërteta të cilat për momentin i mbaj të fshehta dhe s’ka lidhje me kartë rezervë, por ka lidhje me objektivin. Objektivi im dhe beteja ime është me Edi Ramën. Nëse dikush ka betejë me mua, të mos fshihet pas shkrimeve të rreme, të cilat unë e di se kush i shkruan. Të dalë me zë dhe me figurë që të kem unë mundësi t’i përball me të vërtetat.” – u shpreh Bardhi.