Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshimi i formatit të Superligës, Armand Duka: Ndeshjet do luhen në ‘Air Albania’, të kthehen në derbi


Federata Shqiptare e Futbollit ka në plan të ndryshojë formatin e Superligës, kjo duke shtuar numrin e skuadrave.

Departamenti i Garave në FSHF organizoi dje një mbledhje me Drejtorët Sportivë të 10 klubeve të Superligës, teksa këtë të shtunë kreu i FSHF-së, Armand Duka ka mbledhur për diskutim 10 presidentët e klubeve të Superligës.

“Objektivi për këtë propozim ose të propozojmë me më shumë garë, me tendencën për të pasur më shumë spektatorë, për të promovuar më shumë kampionatin shqiptar, për t’i dhuruar spektatorëve ndeshje me më shumë nivel kompetitiv. Për këtë departamenti i garave, përveç studimeve që ka bërë në të gjithë kampionatet e Europës, në bashkëpunim me UEFA-n ka nxjerrë disa propozime”, tha Duka.

Më pas kreu i FSHF-së foli edhe mbledhjen që Drejtorët Sportivë të Superligës zhvilluan dje, ndërsa gjithçka mund të nisë me sezonin 2024-25.

“Është bërë një mbledhje në nivel tjetër me drejtuesit e klubeve të Superiores. Bëjmë këtë konsultim, pastaj të marrim një vendim për të ndryshuar diçka në sezonin 2024-25, ose dhe në sezonin e ardhshëm, ose të qëndrojmë kështu siç jemi. Padyshim që skemat e propozuara, që do të ketë më shumë spektatorë në stadium, duke shfrytëzuar dhe “Air Albania”-n, do të jetë më mirë, apo me të ardhura më shumë për klubet dhe me më shumë tifozë. Unë dhe njëherë ju falënderoj për pjesëmarrjen”, tha Duka.

Duka tregon më shumë “dashuri” për skemën me dhjetë ekipe, por me një play-off për të shpallur fituesin e sezonit.

“Nga studimet në fakt që kemi bërë dhe nga materiali që kemi përgatitur, janë disa karakteristika pozitive që i kemi ne, diferenca me vendin e parë me të fundit nuk është dhe aq i madh. Për të shkuar përpara ne pretendojmë akoma dhe më shumë. Mendohet që të fillohet siç ka qenë me 10 skuadra, me tre ose katër faza dhe pastaj ose të ketë një finale me katër skuadra në skema të ndryshme, ose ndarje me “play off”, kryesisht këto ndeshje të luhen në “Air Albania”. Këto ndeshje të kthehen derbi jo vetëm Tirana, Partizani, Dinamo, por edhe me skuadrat e tjera”, u shpreh Duka mes të tjerash në mbledhjen me presidentët e Superligës.