Vendosni fjalën kyçe....

BE do të rrisë fondin e ndihmës ushtarake për Ukrainën me 3.5 miliardë euro


Takimi i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Luksemburg të hënën vendosi të rrisë fondin e përbashkët të ndihmës ushtarake për Ukrainën me 3.5 miliardë euro të tjera (3.85 miliardë dollarë), sipas DW.

“Ne do të vazhdojmë të dyfishojmë mbështetjen tonë ushtarake si për pajisjet [dhe] trajnimin. Për aq kohë sa duhet,” shkroi kryediplomati i BE Josep Borrell në Twitter, duke njoftuar masën.

Teksa mbërriti në takimin e Luksemburgut, Borrell tha se vazhdimi i mbështetjes së Ukrainës është sot më i rëndësishëm se kurrë, duke aluduar në tentativën për kryengritje nga grupi mercenar rus Wagner në fundjavë.

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, i cili iu bashkua takimit përmes videolidhjes, tha se ai “i kërkoi BE-së të përshpejtonte humbjen e Rusisë duke rritur mbështetjen për Ukrainën”.

Sipas të dhënave të BE-së, që nga fillimi i pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia, Bashkimi Evropian ka mobilizuar tashmë 3.6 miliardë euro nga fondi i përbashkët për të pajisur ushtrinë e Ukrainës.