Vendosni fjalën kyçe....

Berisha e Meta asnjë takim që prej 14 majit


Pas takimeve intensive gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 majit, kreu i Rithemelimit të PD-së Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, nuk shihen më me njëri-tjetrin prej më shumë se një muaji.

Ndërsa vizitat e ish-presidentit në selinë blu ishin një pamje e zakonshme në muajt para fushatës së zgjedhjeve lokale dhe gjatë saj, tashmë diçka e tillë nuk ndodh.

Si Berisha ashtu edhe Meta kanë denoncuar veçmas parregullsitë e pretenduara në zgjedhjet lokale të 14 majit si dhe çështje të tjera, megjithatë për momentin duken larg njëri-tjetrit për sa i përket ndonjë bashkërendimi për sa i përket aksionit opozitar.

Pas 14 majit, koalicioni Berisha-Meta fituan 7 bashki ku kandidatët erdhën nga Rithemelimi, ndërsa për Këshillat Bashkiakë, kandidatët ishin të ndarë. Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga përfundimi i zgjedhjeve, koalicioni është përfshirë në beteja ligjore lidhur me rezultatin në disa bashki, megjithatë kjo përçapje pak pritet të ndikojë në ‘marëdhëniet’ Berisha-Meta.  

Berisha në disa dalje mediatike ka bërë thirrje për protesta qytetare kundër asaj që e ka quajtur manipulim i zgjedhjeve lokale, por duket se në këtë drejtim nuk ka ende një rreshtim te aleatit të tij parazgjedhor.

Si Berisha, ashtu edhe Meta, janë shprehur para 14 majit për një opozitë të bashkuar edhe pas zgjedhjeve lokale, deri në largimin e  Ramës nga pushteti, por nuk mund të thuhet ende nëse do e bëjnë bashkë këtë, apo të ndarë.