Vendosni fjalën kyçe....

Rama paralajmëron Vuçiçin: Nëse 3 policët e Kosovës s’lirohen brenda javës rikthehet akulli mes nesh


Kryeministri Rama ka paralajmëruar presidentin serb Vuçiç se nëse nuk lirohen tre policët e Kosovës të kapur nga forcat special serbe, atëherë mes Tiranës e Beogradit do rikthehet akulli.

Sipas kreut të qeverisë moslirimi i policëve do kthejë pas hapat e çuar përpara në marrëdhëniet dypalëshe.

Rama i bën thirrje gjithashtu kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të ulë tensionet pasi prej tyre e humbura e madhe është vetëm Kosova. Ai shkruan se Kurti duhet të dalë nga guacka e vetëizolimit e të mos e humbë veriun e vendit.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen. Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës. E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!” – shkruan Rama.