Vendosni fjalën kyçe....

Schwarzenegger mund të futet në garën presidenciale 2024 në SHBA ‘nëse e lejon ligji’


Ylli i Hollivudit dhe ish-guvernatori i Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger, ka thënë se do merrte pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm nëse ligji e lejon. Aktori, i cili mori famë ndërkombëtare pasi luajti në filmat ‘Terminator’, ka lindur në Austri, kështu që nuk mund të pretendojë për detyrën kryesore të Amerikës.

Duke u shfaqur në emisionin ‘Kush po flet me Chris Wallace?’ të CNN, i cili u transmetua të premten, Schwarzenegger u pyet nëse do hynte në garë, nëse do ishte shtetas i lindur në SHBA.

Ylli i filmit u përgjigj se do e bënte, duke argumentuar se ‘fusha është e hapur tani”’ ashtu siç ishte në vitin 2016, dhe se asnjë nga pretendentët aktualë nuk do jetë në gjendje t’i ‘bashkojë të gjithë’.

Duke rrëfyer suksesin e tij në Kaliforni në 2003, Schwarzenegger pohoi se votuesit po kërkonin ‘një përgjigje të re, jo një krah të djathtë apo të majtë, por dikë që mund të bashkojë kombin’. Aktori këmbënguli se mbetet i tillë edhe tani.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen në nëntor të vitit 2024. Deri tani, dhjetëra republikanë dhe e demokratë kanë shpallur kandidaturat.

Megjithatë, duke gjykuar nga sondazhet e opinionit, gara mund të kthehet në një rindeshje mes ish-presidentit Donald Trump dhe presidentit Joe Biden, me shumicën e konkurrentëve që mbeten shumë prapa.