Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Kosova aleate e pakompromis e SHBA-së dhe BE-së, bandat kriminale të ndalin dhunën në veri


Kryeministri i Kosovës Kurti u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që të shtojnë dialogun për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit.

Gjatë një takimi me Këshillin e Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, kreu i qeverisë së Kosovës tha se Prishtina i qëndron pas SHBA-së e BE-së me gjithë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike dhe se është aleate e pakompromis e SHBA-së dhe BE-së.

Kurti nënvizoi se rruga për uljen e tensioneve në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, KFOR-it, gazetarëve e kryetarëve të komunave.

“Kosova i qëndron pas SHBA-së dhe BE-së në tërë kuptimin e fjalës, në politikën anti-Putin dhe në vlerat demokratike. Është aleat i pakompromis i SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Rruga përpara për deskalim të situatës në veri do të thotë ndalimi i menjëhershëm i dhunës nga bandat kriminale ndaj policisë, NATO-s, gazetarëve dhe kryetarëve. Në përputhje me situatën e sigurisë, me largimin e këtyre bandave dhe arrestimin e tyre, prania e policëve mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale. Dialogu për zbatimin e plotë marrëveshjes bazike të 27 shkurtit në Bruksel dhe ankesit të zbatimit të 18 marsit në Ohër, duhet të intensifikohet. Kemi nevojë për sekuencim të balancuar dhe të drejtë të zbatimit të marrëveshjes bazike.” – ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u ka bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

“Ne e kuptojmë që kryetarët e rinj kanë marrë pak vota, por ata të tjerët nuk kanë marrë asnjë votë. Komuniteti serb duhet të dalë në zgjedhje e jo të bojkotojnë. Zgjedhjet duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë, pa kërcënime, pa banda kriminale.” – ka shtuar Kurti.