Vendosni fjalën kyçe....

Osmani në takimin me Escobar dhe Lajçak: Zgjedhjet e reja në veri, në përputhje me Kushtetutën


Zgjedhjet e reja në katër komunat në veri të Kosovës mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore, ka thënë presidentja Vjosa Osmani në takimin që ka pasur të martën në mëngjes me përfaqësuesin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak.

Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim Osmani “ka shprehur përkushtimin e plotë që të punohet së bashku me partnerët ndërkombëtarë në mënyrë që në veri të vendit të sundojë rendi e ligji dhe të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës”.

Ajo ka përsëritur qëndrimin se ndëshkimi i grupeve kriminale dhe individëve që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, është rruga e vetme për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

“Prandaj, theksoi ajo, presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë. Presidentja Osmani ka potencuar se zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, ajo shtoi se duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, thuhet në njoftim.

Osmani po ashtu ka theksuar rëndësinë e fuqizimit të aleancës me SHBA-në e BE-në në përmbushjen e synimeve të përbashkëta për rrugën euroatlantike dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës./ KOHA