Vendosni fjalën kyçe....

Dënohet me 16 vite burg autori i vrasjes së Jurgen Kurtit, do vuajë 10 vite pas hekurave pas gjykimit të shkurtuar


Më 16 vite burg është dënuar Elsi Levendi, autori i vrasjes së Jurgen Kurtit, ngjarje e ndodhur më 18 mars 2019.

Levendi do përfitojë nga gjykimi i shkurtuar e përfundimisht do vuajë 10 vite burg.

Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën ‘Zef Jubani’ në Tiranë ku Kurti, i njohur në kryeqytet si menaxheri i VIP-ave u qëllua disa herë me pistoletë në derën e shtëpisë nga dy persona të maskuar.

Kurti ka qenë një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare, pasi disa vite më parë, në 2016 u përfshi në vrasjen e babait të tij, por edhe u akuzua për dhunimin e një tregtari në Durrës që vdiq pas goditjeve.

Në foto: Jurgen Kurti

Megjithatë Kurti mundi që të fitonte lirinë në të dyja rastet. Në rastin e parë autorësinë e vrasjes së babait të tij, Artur Kurti, e mori daja Leonard Ristani, ndërsa në rastin e dytë në vrasjen e Agim Arapit në Durrës u dënua vëllai i vjehrrit, pavarësisht se u arrestuan të tre.

Pas ngjarjes së 11 prillit 2017, Jurgen Kurti u shoqërua nga policia dhe më pas u la i lirë. Dy të akuzuarit e tjerë, Kostandini Ekonomi u shpall i pafajshëm, vëllai i tij Kujtimi u dënua me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia.

Një vit më parë, në 2018 dolën pamjet e vrasjes, ndërsa gruaja e Arapit kërkonte me forcë burgosjen e Jurgen Kurtit, për të cilin thoshte se ‘është përgjegjës për dy vrasje, burrit tim dhe babait të tij’.