Vendosni fjalën kyçe....

17 civilë mbetën të vrarë nga bombardimet e forta në kryeqytetin sudanez


 

Të paktën 17 civilë u vranë në përleshjet në jug të kryeqytetit të Sudanit të mërkurën, thanë mjekët lokalë ndërsa luftimet vazhdojnë midis ushtrisë së vendit dhe forcave paraushtarake, sipas AA.

Në një deklaratë të enjten, Sindikata e Mjekëve të Sudanit tha se zona e Mayo ishte dëshmitare e bombardimeve të rënda natën e kaluar, duke lënë të paktën 106 të tjerë të plagosur, duke përfshirë 36 persona që kishin nevojë për ndërhyrje kirurgjikale.

Numri i të vdekurve mund të jetë më i lartë pasi granatimet e rënda vazhdojnë në kryeqytetin Khartoum, i cili prej javësh ka qenë skena e përleshjeve midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

“Stafi mjekësor në Spitalin Mësimor Qeveritar Bashaer përjetoi presion të madh në trajtimin e rasteve për shkak të numrit të madh dhe mungesës së personelit mjekësor”, shtohet në deklaratë, duke u bërë thirrje mjekëve dhe personelit mjekësor pranë spitalit që të “sigurojnë ndihmë”.

Dhuna e fundit në Sudan ka lënë të paktën 863 civilë të vdekur dhe mijëra të plagosur që nga 15 prilli, tha Sindikata e Mjekëve të Sudanit

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) vlerëson se më shumë se një milion njerëz janë zhvendosur brenda vendit nga konflikti.

Të hënën, rivalët ndërluftues të Sudanit ranë dakord të zgjasin një armëpushim shtatë-ditor, të ndërmjetësuar nga Arabia Saudite dhe SHBA, për pesë ditë të tjera.

Një mosmarrëveshje ishte nxitur në muajt e fundit midis ushtrisë dhe RSF-së mbi integrimin e grupit paraushtarak në forcat e armatosura, një kusht kyç i marrëveshjes së tranzicionit të Sudanit me grupet politike.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një lëvizje të cilësuar nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019 pas rrëzimit të presidentit Omar al-Bashir, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.