Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata jep arrest me burg për Habib Rexhën, arrest shtëpiak për shokun e tij


I dyshuari për vrasjen e Kavajës, Habib Rexha dhe shoku i tij, Ervis Kurti, dolën sot para gjykatës së Durrësit për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë.

Gjykata vendosi arrest në burg për Habib Rexhën, vrasësin e dyshuar të Arjan Gosës në Kavajë, i cili akuzohet për vrasje me dashje për gjakmarrje.

Ndërkaq gjykata vendosi arrest shtëpie për Ervis Kurtin, i cili ndihmoi Rexhën për t’u larguar pas vrasjes.

Para gjyqtarit Olti Skrame, Habib Rexha ka deklaruar se nuk e vrau për gjakmarrje por se ndjehej i kërcënuar prej tij dhe kur e pa në lokal vendosi ta vrasë.

Ekzekutori i Arjan Gosës, Habib Rexha u vetëdorëzua në polici pasditen e së mërkurës, pas negociatave të gjata mes tij, familjes dhe policisë.

Ai ka qenë me shokun e tij, Ervis Kurtin, kur ka parë Arjanin të ulur në lokal përbri shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë. 31-vjeçari ka deklaruar se pasi e ka parë shënjestrën, është zhvendosur me makinë rreth 200 metra më tutje, ku ka lënë mjetin dhe është kthyer në këmbë bashkë me armën që e mbante në makinë.

Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babanë e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen. Babë e bir ishin ulur në pjesën e jashtme të lokalit dhe po ndiqnin të shkujdesur një ndeshje futbolli. Të dy kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.