Vendosni fjalën kyçe....

Rënia e euros, Ibrahimaj: Do ngurtësohet parapagimi i kësteve të tatimfitimit te eksportuesit


Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të marrë dy masa afatshkurtër për zgjidhjen e problematikës te bizneset eksportuese të dëmtuara nga rënia e euros.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se është vendosur që për dhënien e një zgjidhje afatshkurtër, të rritet likuiditeti te këto biznese nëpërmjet ngurtësimit të pagesave të tatimfitimit

Gjithashtu sipas saj do të marren masa që rimbursimi i TVSH-së të merret nga eksportuesit nëpërmjet administratës tatimore, nga afati kohor prej 30 ditësh, do të përfitohet brenda 3 ditësh pas paraqitjes së kërkesës.

“Sapo përmbyllëm mbledhjen e tretë me shoqatat e eksportuesve nisur nga shqetësimi qe kanë pasur vlerësimin e monedhës vendase dhe zhvlerësimin e euros.

Kemi bere tre takime kemi diskutuar gjerësisht dhe për disa zgjidhje ne afatshkurtër dhe afatgjatë. Ne si Ministri e Financave e kemi analizuar shqetësimin e zhvlerësimit të monedhës euro, duke qenë se ata eksportojnë në euro që do te thotë gjatë muajve të fundit duke qenë se euro ka ardhur me zhvlerësim, janë reduktuar të ardhurat e këtyre bizneseve.

Kemi vendosur bashkarisht me qëllim dhënien e një zgjidhjeve afatshkurtër për arritjen e likuiditeteve të kompanive eksportuese të ngurtësojë, parapagimin e kësteve të tatim fitimit për të gjithë kompanitë eksportuese që eksportojnë më shumë se 70% të qarkullimit dhe të prodhimit të tyre.

Kemi përgatitur një akt normativ, që do të miratohet shpejt nga qeveria, që këto kompani të mos paguajnë këste tatim fitimi duke krijuar kështu një mundësi të rritjes së likuiditetit që kompanitë kanë në dispozicion.

Do të marrim masa që rimbursimi i TVSH-së që merret nga eksportuesit nëpërmjet administratës tatimore, që duhet të jepet për 30 ditë, do të jepet brenda 3 ditësh pas paraqitjes së kërkesës për ato eksportues që eksportojnë 70% të produkteve të tyre. Këto janë dy masa afatshkurtra ndërkohë që kemi vendosur krijimin e një grupi pune me bankën e Shqipërisë, Shoqatën e Bankave dhe eksportuesit për analizimin e situatës dhe marrjen e masave të mëtejshme që do të ndikojnë në afatgjatë.

Disa masa të paraqitura nga Shoqata e Bankave lidhen me krijimin e mundësive dhe për të pasur më shumë likuiditet, siç mund të jetë ristrukturimi i kredive, me qëllim që maturiteti i kredive të rritet dhe kostot e bizneseve të ulen të paktën në afatshkurtër. Ndërkohë që një tjetër instrument i dobishëm mund të ishte dhe lidhja e kontratave “forward” ndërmjet bizneseve dhe bankave për të pasur njëlloj sigurie mbi ndryshimet e kursit të këmbimit në të ardhmen për kontratat që do të lidhen. Këto dhe të tjerë instrumentë do të diskutohen në takimet teknike në vijim”, tha Ibrahimaj.

Ndërsa kryetari i shoqatës së Eksportuesve Alban Zusi vlerësoi masat emergjente që u morën dhe bashkëpunimin me financat për zgjidhjen e kësaj problematike. “Jemi të shqetësuar prej javësh nga rënia e euros, pasi është dëm i madh që po i shkaktohet ekonomisë. Të parët që po e ndjejnë janë eksportuesit dhe nuk do të jetë e largët dita kur do ta ndjejnë edhe bizneset e tjera”.

Takimet vijnë pas shqetësimit që 7 shoqata eksportuese, prodhuese dhe të sektorit të turizmit ngrenë alarmin për efektet negative nga zhvlerësimi i lartë i monedhës europiane nëpërmjet një letre drejtuar Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë znj. Delina Ibrahimaj.

Bizneset kërkuan normalizim të situatës nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, pasi siç u theksua në letër rënia e euros është në nivelet më të ulëta të ulëta historike, çka rrezikon kthimin në një ekonomi të pastër importuese të ngjashme me atë të vitit 1992 nën efektet e “terapisë shock”.

Shoqatat e biznesit pohojnë se ky zhvlerësim i monedhës euro, ka dëmtuar shumë rëndë industrinë prodhuese, eksportuese dhe turizmin vendase duke drejtuar shumë subjekte drejt falimentimit.

Shoqata Proeksport llogarit se për janar-mars 2023 humbjet te tekstilet dhe këpucët nga zhvlerësimi i euros janë 45 milion euro krahasuar me 2022.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor