Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna me armë zjarri në Pukë gjatë natës, dyshohet se ngjarja ka sfond politik, policia shpall në kërkim 26-vjeçarin


Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune në Pukë.

Burime nga policia, bënë me dije se autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje është shtetasi me iniciale K. .P, 26 vjeç banues në Tiranë.

Ndërkohë policia ka shpallur në kërkim autorin, i cili ka qëlluar në lëvizje nga mjeti i tij “Maserati”. Policia në vend, pranë hotel Turizmit ka gjetur 4 gëzhoja pistolete.

Policia e Pukës ka dhënë informacion zyrtar për incidentin me armë të ndodhur pas mesnate, teksa ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin, një 26-vjeçar nga Tirana.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, me marrjen e njoftimit, në mesnatë, rreth orës 00:20, se në dalje të qytetit të Pukës në aksin rrugor Pukë-Fushë Arrëz, ishin dëgjuar të shtëna me armë, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë organizuar punën, ku falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit, i cili ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të shërbimeve të policisë bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj ngjarje dhe shpallja në kërkim e shtetasit K. P., 26 vjeç, banues në Tiranë” thuhet në deklaratën e policisë.

 

Por dyshohet nga ana tjetër se ngjarja ka sfond politik, pasi 26-vjeçari i identifikuar si Klaudio Prendi, mësohet se është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi, i cili u dorëhoq pasi filloi  Vetingu, por që njëherësh është krahu i djathtë i kandidatit të koalicionit Berisha-Meta. 

Kandidati i socialistëve dhe njëkohësisht kryetari në detyrë, Gjon Gjonaj ka akuzuar se janë qëlluar mbështetës të socialistëve.

Ai bën përgjegjës kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Rrok Dodaj. Në një status të bërë në rrjetet sociale, Gjonaj thotë se mbështetësit e PS janë kërcënuar me armë dhe  në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata lëviznin është qëlluar në ajër. Gjonaj shton se kandidati i tij po bën presion qytetarëve me anë të kërcënimeve me armë për të marrë votën.

Puka pas shumë vitesh, afër mesnatës së kaluar degjoj krisma armësh, të cilët u  shkrehen në qytet nga ata që të importuar me pagesë nga kandidati  pa parti i opozitës tentuan të prishin traditen e Pukës.

Pasi kanë kërcënuar mbështetës të Partisë Socialiste duke ju drejtuar dhe armen, në largim e sipër, nga mjeti me të cilin ata leviznin është qëlluar në ajër.

Por a mund t’ju bëhet presion pukjanëve në shtëpinë e tyre?! Këtë ta harroj Rroku që mendon se mund të marr bashkinë nën presionin e armëve. Ja pra vizioni dhe strategjia përmes të cilës ai kërkon të vi në pushtet. Puka ka shpalosur qytetari, maturi dhe qetësi në çdo situatë, përfshirë këtu dhe fushatat elektorale dhe këtë nuk do mund ta prish Rroku dhe as njerzit me precedent që ai ka sjell me pagesë në Pukë. I  bëj thirrje Policisë së Shtetit të zbardh ngjarjen menjëherë duke shfrytëzuar provat e gjetura pas kësaj ngjarje.

Një lutje të sinqertë bëj për të gjithë mbështetësit tanë që këto ditë të shmangin provokimet e sojit të këtyre që mendojnë se Puka voton nën kërcënimin e armëve të mercenarve, të cilët kanë zbarkuar nga qytete të tjera me qëllim friksimi. A mund të ndodh kjo?! Kurr Jo! Edhe ata pukjanë që kanë qenë në atë makinë do e ndjejnë shpejt barren e përgjegjësisë për prishjne e kësaj tradite të bashkjetesës dhe harmonisë që karakterizon Puken.

Për të gjith shqiptarët dua të bëj një sqarim: Nuk është kjo Puka, nuk është ngjarje që ndodh nga pukjanët. Siç e kemi dëshmuar, jemi popull i qetë dhe mikpritës e këtë e tregon dhe fakt se në Pukë ka dhjetra vite që nuk është shkrehur armë.

Ky është kandidati që pretendon të marr drejtimin e bashkisë që bashkë me humbjen me 14 Maj do të marr dhe përgjegjësinë e veprimeve të tilla që  prishin imazhin e Pukës në prag të këtij sezoni turistik“, thuhet në deklaratë