Vendosni fjalën kyçe....

I kapen 104 kg kanabis në makinë, pranga 49-vjeçarit në Vlorë


Një 49-vjeçar është arrestuar në Vlorë pasi akuzohet për transport lëndësh narkotike.

Kristian (Nikola) Skëndaj është ndaluar në Novoselë teksa po përpiqej t’i largohej policisë me shpejtësi.

Pas disa minutash ai është ndaluar dhe pas kontrollit në mjetin tip ‘Chrysler’ është gjetur një sasi rreth 104 kilogramë kanabis e ndarë në 10 pako.

Njoftimi

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, se një sasi e madhe lënde narkotike kanabis po transportohej me një automjet tip “Chrysler”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reset”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Kristian (Nikola) Skëndaj, 48 vjeç, banues në Vlorë.

Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i automjetit, sapo ka vënë re se po ndiqej nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi, por pas disa minutash ndjekje është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë, në fshatin Novosel.

Gjatë kontrollit në automjetin tip “Chrysler”, në bagazh, u gjetën 10 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. me peshë totalë 104 kilogramë. Pakot me kanabis u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 1 aparat celular.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.”