Vendosni fjalën kyçe....

Berisha takim me Forumin Rinor të PD: Belind Këlliçi ka marrë flamurin e fushatës jo vetëm në Tiranë por edhe në Shqipëri


Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi një takim me Forumin Rinor të Partisë Demokratike.

Berisha gjatë fjalës së tij vlerësoi maksimalisht figurën e vajzës shqiptare duke thënë se në rast se rinia është e ardhmja e një shoqërie dhe një kombi, vajzat janë kurora e kësaj të ardhme.

I ndalur tek zgjedhjet e 14 majit dhe fushata elektorale e Belind Këlliçit në Tiranë, Berisha tha se  Këlliçi ka arritur të marrë, të dominojë dhe të marrë flamurin e fushatës jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shqipëri.

Më tej, ish kryeministri ka vijuar sërish me akuza ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion veliajt.

 

Pjesë nga fjala e Berishës:

Së pari, dëshiroj të ju përshëndes përzemërsisht, ata që kanë forumin për këtë organizim shumë të veçantë.

Organizimi i këtij takimi me zonjushat, vajzat e reja, ka një simbolikë të madhe, cila është kjo? Sot më të famshmet në botë nga ky komb, janë vajzat shqiptare.

Jo vetëm sot, por ky komb, kombi ynë, një bijë e këtij kombi ja doli të pushtojë zemrat e njerëzimit. Të marrë  titullin më fisnik të kësaj toke që është titulli nënë, duke mos patur kurrë fëmijë, ose duke mos pas qenë ndonjëherë nënë, dhe kjo ishte Nënë Tereza.

Sot magjia e zërit të vajzave shqiptare është e jashtëzakonshme, është botërore, planetare, dhe kjo dëshmi e një ADN-je shumë të fuqishme. Nuk është vetëm  këmba dhe muzika, por sporti. Rekordet e Majlinda Kelmendit dhe të disa sportisteve të tjera, janë botërore, janë të jashtëzakonshme.

Por në qoftëse Nënë Tereza ja doli të pushtojë zemrat e njerëzimit, sot një vajzë shqiptare, po pushton mendjen e mbarë njerëzimit me ChatGPT, kjo është Mira Murati. Mira Murati me kontributin e saj në OpenAI, e vërteta është se me një shpejtësi më të rrufeshme se çdo invencion tjetër po transformon shoqërinë dhe botën. Ajo solli inteligjencën artificiale në duart e çdo njeriu.

Sot kjo ka një diskutim jo të vogël, të hapur, të madh, për ndikimet e ChatGPT, robotit që komunikon me gjuhën natyrale, por sidoqoftë diskutimet janë të përkohshme. Asgjë pas universalizimit të saj, nuk do të jetë më siç ka qenë.

Edhe kjo një atribut i një vajze shqiptare.

Tani unë do të kthehem në dy momente të jetës time, shumë vite para, do të kthehem në fëmijërin time më të hershme. Të gjithë në përgjithësi konsiderojnë fat, familjen, rritjen në familje, unë e konsideroj një fat shumë të madh, sepse kam lindur dhe jam rritur në një familje strikt patriarkale në kodin e saj, me një përjashtim të çuditshëm, paradoksal për kohën.

Në atë familje, mbretëreshë, apo princeshë të themi, ne ishim tre fëmijë, dy vëllezër dhe një motër, por familja dhe çdo gjë sillej rreth motrës, kjo ishte vërteta dhe në mënyrë të çuditshme, nëna ime me një vendosmëri absolute do ta vendoste atë në epiqendër, kurse vëllai im që ishte më i madh, e unë më i vogël se ajo, do të ishim përreth saj.

E kam menduar shumë herë dhe e kam konsideruar gjithnjë, si një nga trashëgimitë më të  çmuara që unë kam pasur nga fëmijëria ime. Ndaj në rast se do të kërkonte një njeri këshillë nga unë, e vetmja këshillë që mund ti jepja në çdo familje, e para është vajza, sepse kjo, ka një ndikim jashtëzakonisht të dobishëm tek e gjithë familja dhe tek djemtë, apo djali i asaj familje.

E kam treguar edhe një herë tjetër. Shumë më vonë lexoj për Frojdin. Frojdi kishte një motër, Anën. Frojdi i përkiste një familje intelektuale në Vienë dhe Anës prindërit i blenë në piano. Por meqenëse Frojdi nuk donte të dëgjonte piano, pianoja iku nga shtëpia, sepse prindërit i dhanë përparësi Zigmudit. Nëse do të kishte ndodhur kjo në familjen time, unë do të isha i detyruar që me orë të dëgjoja koncertet e motrës time. Nuk mund të imagjinohej që pianoja të dilte jashtë.

E dyta që desha të them nga eksperienca ime.

Pedagog. Konstatoja se në 7 studentë të shkëlqyer, 6 ishin vajza. Mos e dhe më shumë. Konstatoja se në 7-8 diploma që drejtoja, 80-90 % e më të mirave ishin të vajzave. E prap në atë kohë, në vitet ’70, përsëri ndjehej muri i patriarkisë. Në psikologjinë e përgjithshme ndjehej se ekzistonte një diferencë mes djemve dhe vajzave.

Por ka rreth 15 viteve të fundit, që testi i intelektit, del qartësisht epror tek vajzat. Ky test përsëritet çdo 5 vite, e të paktën 3 herë me radhë dhe tani nuk e komenton kush, se intelekti është më i madh tek vajzat se sa tek djemtë.

E mbyll këtë duke thënë se në rast se rinia është e ardhmja e një shoqërie dhe një kombi, vajzat janë kurora e kësaj të ardhme.

Ndaj dhe përbën një rëndësi të jashtëzakonshme që përkushtimi i tyre për vendin, Shqipërinë të vlerësohet në shkallë maksimale. Në mendjen e tyre, por edhe në inteligjencën e tyre emocionale e cila konvertohet në imagjinatë, intuitë dhe shumë gjëra të tjera të dobishme, qëndrojnë potenciale të mëdha, si për individin ashtu dhe për familjen dhe shoqërinë.

Sot ne jemi në një fushatë elektorale. Kam shumë kënaqësi që një i ri, deri dje drejtues i forumit që na ka mbledhur sot këtu, garon për kryetar bashkie dhe ju konstatoni, se si Belind Këlliçi ka arritur të marrë, të dominojë dhe të marrë flamurin e fushatës në Shqipëri, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Shqipëri.

Ju  konstatoni se si ky i ri me të rinjtë dhe qytetarët në njërën anë, ka vendosur në pothuajse në errësirë rivalin e tij, i cili siç ka dashtë vetë, është sot simbol i tre veseve kryesore.

I falsit. Nuk ka fatkeqësi më të madhe se sa të jesh i ri dhe fals. Ai në fakt i ri nuk është, ai ka djegur rininë e tij me falsitet se tani është moshë tjetër.

I gënjeshtrës, ku një njeri që nis një fjali dhe në qoftëse në dy fjalët e para ka një të vërtetë, do ti mbulojë me një gënjeshtër në dy fjalët e dyta.

Dhe e treta, i vjedhjes dhe korrupsionit. Nuk e ka për asgjë, të dalë para kamerave, para shqiptarëve, kam mbjellë 1 milionë pemë. Pse ka vjedhë, ka vjedhë çmimin e 1 milionë pemëve, nuk e ka për gjë fare.

Ka ndërtuar 40 shkolla dhe numëron shkolla të ndërtuar edhe 60 vite më parë. Tirana ka 17 orë ujë, në një kohë kur Tirana është përkeqësuar furnizimi me ujë nën drejtimin e tij.

Pra u desh të dalë në arenë një i ri me vlera që të ndërgjegjësojë qytetarët e Tiranës për të gjithë, këta i thonë demagogji, por nuk është demagogji, është falsitet fund e krye. Gënjeshtër fund e krye dhe vjedhje fund e krye.