Vendosni fjalën kyçe....

Belind Këlliçi prezanton projektin e nënkalimit tek sheshi ‘Skënderbej’ që lehtëson trafikun


Belind Këlliçi, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, prezantoi sot te sheshi ‘Skënderbej’ në Tiranë, planin e tij të nënkalimit nëntokësor në këtë shesh,si  pjesë e rëndësishme e programit të tij për drejtimin e bashkisë së kryeqytetit pas 14 majit.

Jemi mbledhur në këtë shesh për të prezantuar zgjidhjen tonë për problemin e trafikut në Tiranë: ndërtimin e një tuneli nëntokësor për makinat, që do të mundësojë rrjedhjen pa pengesë të trafikut nën sheshin ‘Skënderbej’, duke lehtësuar kështu shumë trafikun në qendër të Tiranës.

Këlliçi tha se kjo është zgjidhje e thjeshtë por e rëndësishme për trafikun  që është kthyer në mankth për qytetarët.

Sipas Këlliçit, ky projekt do lehtësojë buxhetin e familjeve të cilat shpenzojnë si pasojë e trafikut dy herë më shumë karburant.

“Ne ofrojmë sot një zgjidhje të thjeshtë, por shumë të rëndësishme për trafikun në Tiranë, veçanërisht në qendër të saj, sepse ai është kthyer prej vitesh në një makth për qytetarët e Tiranës.

Dhe këtu nuk po flas vetëm për kohën e humbur dhe pamundësinë për të programuar, për secilin nga ne, takimet dhe oraret. Implikimet e një trafiku kaq të rënduar janë shumë më të mëdha për qytetarët e Tiranës:

Së pari, kjo është një kosto shumë e lartë për buxhetin e familjeve. Familjet e Tiranës shpenzojnë dy herë më tepër karburant për makinat e tyre, si pasojë e një trafiku që nuk ndalon kurrë. Sipas përllogaritjeve tona, fatura financiare për familjet që përdorin makinat, pikërisht për hir të trafikut, është më e madhe se 100 mijë lekë të vjetra në muaj (ose 100 euro në muaj);

Së dyti, edhe më e rëndësishme, ka të bëjë me shëndetin e banorëve. Ndotja në qendër të Tiranës si pasojë e trafikut është rreth 5 herë më e lartë. Ndërkohë në të gjthë Tiranën është shumëfishuar numri i të sëmurëve të aparatit respirator, vecanërisht është rritur numri i fëmijëve astmatikë pikërsht prej kësaj ndotjeje.

Nëse vazhdohet kështu në Tiranë, ky qytet do të kolapsojë. Në të vërtetë, jemi shumë afër kësaj pike. Sepse nuk mund të vazhdohet me ndërtimet pa asnjë planifikim urban, nuk mund të vazhdohet me flotë autobuzësh që janë jashtë kondicioneve teknike, nuk mund të vazhdohet pa parkime, pra, nuk mund të vazhdohet pa e rikonceptuar të gjithë këtë çështje nga e para! “ tha Këlliçi.

Këlliçi vijoi se përsa i përket transportit urban do të ketë korsi të dedikurara të autobusëve me bileta elektronike dhe aplokacionet ndihmuese për qytetarët.

Trafiku në Tiranë është një çështje, e cila duhet zgjidhur me prioritet absolut, për të gjtha arsyet e përmendura më sipër. Por siç edhe të gjithë e dimë, ajo duhet të vijë nga një sërë ndërhyrjesh që kanë lidhje me trasportin cilësor, të sigurtë dhe dhe falas, me korsitë e dedikuara të autobusëve të shpejtë, me biletat elektronike dhe aplikacionet ndihmuese për udhëtarët, me riikonceptimin total të lëvizshmërisë në Tiranë, me hapjen e rrugëve të reja dhe rikualifikimin e rrugëve dytësore, të cilat mund të shfryjnë trafikun, me vepra infrastrukturore që nuk zgjasin pafund sic është rasti i Unazës së Madhe, me një plan të mirëfilltë për parkimin si dhe me policinë bashkiake që nuk është aty vetëm për gjoba, po për të ofruar ndihmë dhe zgjidhje.

Gjithashtu, dua të ritheksoj edhe një herë që angazhimi im për të reduktuar përgjysëm kohën në trafik për qytetarët dhe për të kthyer brenda cilësinë e ajrit brenda normave të BE-së, është jo vetëm i mundshëm por i domosdoshëm.

Por le t’i kthehemi edhe një herë zgjidhjes që ne ofrojmë sot: siç edhe e shikoni në ekranin LED dhe ne tabelat e paraqitura, zgjidhja është e thjeshtë dhe me kosto mjaft të përballueshme. Ekipi im është duke punuar për të ofruar zgjidhje teknike të ngjashme edhe ne kryqëzimet e tjera në Tiranë, ato që janë kthyer tashmë në pika bllokimi të mëdha për trafikun.

Zgjidhja e e problemit të trafikut në Tiranë, si dhe dhjetëra e dhjetëra problemeve të tjera të kryeqytetit, kërkon një program të mirëfilltë që ne e kemi, kërkon specialistë që ne i kemi, kërkon vullnetin  për zgjidhje që ne e kemi.

Ne të gjitha këto i kemi. Por për këtë nevojitet ndryshmi i madh në datën 14 maj. Atë e keni ju në duart tuaja. Ju mund t`i jepni zgjidhje këtyre problemeve, duke votuar numrin 5, Belind Këlliçin dhe siglën “Bashkë Fitojmë”, për një grup të jashtëzakonshmë këshilltarësh bashkiakë që do të mbrojnë interest tuaja!” tha Këlliçi.