Vendosni fjalën kyçe....

Sanksionet amerikane, Hungaria largohet nga banka e kontrolluar nga Rusia


Hungaria ka vendosur të largohet nga një bankë investimi të kontrolluar nga Rusia, duke tërhequr anëtarësinë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj këtij institucioni financiar me seli në Budapest.

Vendimi, i shpallur të enjten nga Ministria hungareze e Zhvillimit Ekonomik, erdhi pas vendimit të së mërkurës të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj Bankës Ndërkombëtare të Investimeve, e cila zhvendosi selinë e saj nga Moska në kryeqytetin e Hungarisë në vitin 2019.

Në një deklaratë të së enjtes, 13 prill, Ministria tha se “edhe pse Banka Ndërkombëtare e Investimeve ka luajtur një rol të rëndësishëm për zhvillim në Evropën Qendrore dhe Lindore, sanksionet e SHBA-së i kanë bërë të pakuptimta operacionet e bankës”.

“Prandaj, qeveria tërheq delegatët e qeverisë hungareze në Bankën Ndërkombëtare të Investimeve dhe tërhiqet nga institucioni financiar ndërkombëtar”, thuhet në atë deklaratë.

Pjesëmarrja e Hungarisë në këtë bankë dhe gatishmëria e qeverisë hungareze për të mbajtur selinë e saj në Budapest kishin zhgënjyer zyrtarët amerikanë në administratën e presidentit amerikan Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump, të cilët argumentuan se ajo mund të shërbente si një kanal për spiunazhin rus brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Pas shpalljes së sanksioneve të SHBA-së të mërkurën, në një deklaratë të Departamentit amerikan të Thesarit thuhej se banka i mundëson Rusisë “ta rrisë praninë e saj të inteligjencës në Evropë, hap derën për aktivitetet e ndikimit keqdashës të Kremlinit në Evropën Qendrore dhe në Ballkanin Perëndimor dhe mund të shërbejë si një mekanizëm për korrupsion dhe financim të paligjshëm, përfshirë këtu shkelje të sanksioneve”.

Në një konferencë shtypi të mbajtur në Budapest pas shpalljes së sanksioneve, ambasadori i SHBA-së në Hungari, David Pressman, tha se qeveria e Hungarisë i kishte injoruar thirrjet e shumta të SHBA-së për t’i tërhequr aksionet e saj në bankë.

“Prania e kësaj platforme të errët të Kremlinit në zemër të Hungarisë kërcënon sigurinë dhe sovranitetin e popullit hungarez, fqinjëve të tyre evropianë dhe aleatëve të tyre në NATO”, tha Pressman.

Tre drejtues aktualë apo ish-drejtues të bankës – shtetasit rusë, Nikolay Nikolayevich Kosov dhe Georgy Nugzarovich Potapov, si dhe shtetasi hungarez Imre Laszloczki – u sanksionuan si pjesë e një pakoje më të gjerë që ka cak rrjetet financiare të dy prej biznesmenëve më të pasur të Moskës që njihen si aleatë të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Edhe disa vende të tjera anëtare të BE-së – Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Rumania – ishin më parë anëtarë të bankës të investimeve, që u themelua në Bashkimin Sovjetik në vitin 1970. Por, të katër ato vende tërhoqën anëtarësimin e tyre pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, duke e lënë Hungarinë si anëtaren e vetme të BE-së në këtë bankë.

Banka Ndërkombëtare e Investimeve nuk i është përgjigjur pyetjeve të agjencisë së lajmeve AP lidhur me këtë çështje.