Vendosni fjalën kyçe....

Padi në Gjykatë për një media, Bollino: E paguar nga ministra, ish ministra dhe ‘Foltorja’, denoncoj fenomenin e ‘killerave mediatikë’, mos paguani gjoba


Fenomeni i killerave mediatike duhet të marrë fund dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë është rruga ligjore. Ky ishte mesazhi i gazetarit dhe botuesit Carlo Bollino sot nga Gjykata e Tiranës ku njoftoi se dorëzoi një padi ndaj një mediaje online, e cila e bullizon me shkrime shpifje dhe ofendime prej 7 vitesh. Bollino tha se padia 100-faqëshe është për një media e cila financohet nga të gjitha palët politike, edhe nga ministra e ish-ministra të kësaj mazhorance.

“Jam këtu te gjykata e Tiranës për të dorëzuar një kërkesë-padi ndaj një subjekti dhe ndaj një individi që më bullizon mediatikisht prej 7 vitesh. Jo rastësisht nuk po përmend para jush median, se në fakt as media dhe as botuesi nuk është,thelbi, por ne po flasim për një fenomen. Nuk është e rëndësishme të them këtu emër, që natyrisht është brenda padisë, por për një fenomen që unë e quaj” killer mediatik”.

Në rastin konkret është financuar nga e majta dhe e djathta, pra nga ministrat në fuqi dhe nga ish-ministrat socialistë dhe nga përfaqësuesit e ‘Foltores’ dhe disa eksponentë të opozitës, që paguajnë media të caktuara për të sulmuar ose gazetarë ose biznesmenë edhe politikanë, por mua nuk më intereson shumë të mbroj politikanët. Unë jam në qendër të një sulmi 7-vjeçar dhe jam gazetar relativisht i njohur, imagjinoni se çfarë mund të ndodhë ndaj një qytetari të thjeshtë”, tha Bollino në një prononcim për mediat para Gjykatës së Tiranës.

Botuesi Bollino e kishte një thirrje për të gjithë ata që ndjehen të sulmuar dhe janë viktima të këtyre ‘killerave mediatikë’ siç i quajti ai.

Unë përfitoj nga prezenca juaj për të bërë një apel për të gjithë ata qytetarë ose biznesmenë që janë viktima të këtij ‘killeri mediatik’. Unë nuk kam lekë për të paguar gjoba dhe unë sugjeroj që të mos paguajnë gjoba asnjëherë sepse sapo mbarojnë lekët, shpifjet dhe fyerjet rifillojnë. Instrumenti i vetëm për t’u mbrojtur nga ky lloj fenomeni është Shteti. Unë kam besim te Shteti. Jam këtu duke dorëzuar një padi, duke kërkuar një dëmshpërblim të konsiderueshëm dhe mendoj se të njëjtën gjë duhet të bëjë çdo qytetar.

Nuk është e vërtetë që ndaj një media online nuk ka mbrojtje. Shumica e mediave online janë tashmë të regjistruara. Edhe kur shkrimet janë anonime, mjafton që të ketë një pronar të njohur në QKB, pra një subjekt tatimor, për të bërë një padi. Unë këtë po bëj bashkë me avokatin tim dhe shpresoj që edhe qytetarët dhe biznesmenët që janë viktimë e këtyre “killerave mediatikë” të reagojnë në të njëjtën mënyrë. Është e vetmja mënyrë për të mbrojtur median që ka një funksion të shenjtë në demokraci. Liria e shprehjes, liria e medias nuk ka asnjë lidhje me fyerje dhe shpifje.  Nuk ka asnjë shtet që shpifjet dhe fyerjet mbrohen në emër të lirisë”, tha Carlo Bollino.

I pyetur se pse nuk e bën publik emrin e personit që do të padisë Bollino tha se emri dhe faktet janë të gjitha në padinë për më shumë se 100-faqëshe por qëllimi kryesor është denoncimi i fenomenit.

“Nuk e përmend, se s’dua t’i jap kaq shumë rëndësi, emri dhe faktet janë brenda një dosje 100 faqeshe që po dorëzoj. Unë po denoncoj tani në fenomen, ky është vetëm një rast. E kam përzgjedhur këtë rast sepse përveç ripërsëritjes 7-vjeçare, kjo nuk është media opozitare. Kjo është një palo media që merr lekët edhe nga ministrat e qeverisë aktuale edhe nga ish-ministra edhe nga opozita. Pra në këtë rast nuk është një qëndrim politik, por thjesht dëshira për të gjobitur dikë”, përfundoi prononcimin e tij gazetari dhe botuesi Carlo Bollino.