Vendosni fjalën kyçe....

Opozita humb më 14 maj – Astrit Patozi


Ish nënkryetari i PD, Astrit Patozi, në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH, ai e përshkroi gjendjen e PD si “depresive, të mjerueshme, me zhvillime të frikshme dhe në një katandisje gati të pashpresë”.

Patozi e shikon PD në luftë civile dhe jo në gjendje të arrijë armëpushim.

Ish-kreu i Bindjes Demokratike nuk i ka humbur shpresat për ringritjen e opozitës.

Shpresën e shoh tek një riformatim i opozitës në tërësi dhe jo thjesht i PD. Pasi të dalë rezultati i zgjedhjeve, shpresoj që të gjithë faktorët opozitarë të reflektojnë dhe zërat e arsyeshëm brenda opozitës do të gjejnë forcë të krijojnë një lloj konfederate opozitare. Vetëm Foltorja me partinë e Ilir Metës janë të pamjaftueshëm për të përfaqësuar popullin opozitar. Pres me padurim rezultatin proporcional, sepse, për fat të keq, pritshmëritë që opozita të arrijë një rezultat pozitiv në maxhoritar janë shumë të pakta dhe përgjegjësi për këtë ka PD, e cila nuk ka mbaruar ende luftën civile brenda vetes.”- tha Patozi.

Patozi tha se opozita do të dalë e humbur nga zgjedhjet e 14 majit duke parashikuar jo më shumë se 16 bashki për koalicionin për “Bashkë Fitojmë”.

Pres një humbje të opozitës. Jam shquar për realizëm gjatë jetës politike. E vërteta është që të gjithë bashkë, por kryesisht Foltorja me Ilir Metën nuk do të kemi sukses në zgjedhjet maxhoritare për bashkitë e vendit. Do ta konsideroja sukses, nëse koalicioni i tyre do të arrinte rezultatin e 2015-ës me diku tek 15-16 bashki”- u shpreh Astrit Patozi.

Patozi do të marrë pjesë në zgjedhje bashkë me LZHK-në e Dashamir Shehit. Ata janë të fokusuar tek rezultati për këshillat bashkiakë, si një test për zgjedhjet politike të 2025-ës.