Vendosni fjalën kyçe....

Atentat me eksploziv ndaj makinës së Aldi Mustafës në Shkozet


Një atentat me eksploziv ka ndodhur pak më herët në Shkozet, ku është hedhur në erë mjeti i Aldi Mustafës.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në Shkozet ku mjetit i është vënë eksploziv në gomën e pasme.

Policia ka dalë me një njoftim publik e cila bën me dije se makina drejtohej nga shtetasi Aldi Mustafa, i cili nuk është lënduar, por ka vetëm dëme materiale.

 

“SHKOZET

Rreth orës 14:00, në aksin rrugor Shkozet – Durrës, në automjetin në lëvizje, që drejtohej nga shtetasi A. M., 37 vjeç (i vetëm në automjet), në gomën e pasme, në krahun e pasagjerit, dyshohet se ka shpërthyer lëndë eksplozive.

Nga shpërthimi i lëndës eksplozive nuk ka persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale,” njofton policia.

 

Aldi Mustafa, 37 vjeç, banues në Durrës, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, me 10 vite burg, në Gjermani.

Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Mustafa u arrestua më 30 gusht 2021 në kuadër të operacionit të koduar ‘Misioni’, bashkë me dy të tjerë, Uran Zykën, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”, si dhe Tahir Gjinikën, 33 vjeç, banues në Durrës.

Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës.