Vendosni fjalën kyçe....

Bashkëthemeluesi i Google në mesin e miliarderëve të thirrur në çështjen e lidhur me Epstein – WSJ


Bashkëthemeluesit të Google, Sergey Brin dhe disa miliarderëve të tjerë u janë lëshuar me fletëthirrje nga Ishujt e Virgjër të SHBA-së si pjesë e një padie civile kundër ‘JPMorgan Chase’ mbi lidhjet e bankës me të dënuarin për shkelje seksuale Jeffrey Epstein, kanë thënë burime të informuara për Wall Street Journal.

Manjatë të tjerë që janë thirrur përfshijnë kryetarin ekzekutiv të ‘Hyatt Hotels’ Thomas Pritzker, manjatin e pasurive të paluajtshme Mortimer Zuckerman dhe investitorin Michael Ovitz, raportoi gazeta të premten.

Thirrjet nga Prokurori i Përgjithshëm i Ishujve të Virgjër të SHBA-së kërkojnë çdo komunikim dhe dokument në lidhje me ‘JPMorgan Chase’ dhe Epstein nga disa prej burrave më të pasur në Amerikë, thanë burimet.

Arsyet e sakta pse Brin, Pritzker, Zuckerman dhe Ovitz po kërkohen si pjesë e hetimit ‘nuk mund të përcaktohen’, vuri në dukje WSJ.

Në fillim të kësaj jave, media raportoi se shefi dhe presidenti prej shumë kohësh i ‘JPMorgan Chase’ Jamie Dimon kishte rënë dakord të intervistohej nën betim në maj si pjesë e çështjes.

Padia kundër një prej bankave më të njohura të Wall Street u ngrit nga një viktimë e dyshuar e Epstein.

Ishujt e Virgjër të SHBA, ku Epstein zotëronte një shtëpi, paditi ‘JPMorgan’ në fund të vitit të kaluar në një gjykatë federale në Manhatan, duke pretenduar se banka kishte marrë referime për mundësi biznesi me vlerë të lartë nga shkelësi i dënuar seksual dhe me vetëdije kishte lejuar vazhdimin e bashkëpunimit me të, duke injoruar paralajmërimet e brendshme për sjelljen e tij të paligjshme.

‘JPMorgan’ këmbëngul se nuk kishte qenë në dijeni të veprimtarive kriminale të Epstein dhe për këtë arsye nuk mund të mbahej përgjegjës.

Epstein, i cili vdiq në një qeli burgu në vitin 2021 ndërsa priste gjyqin për akuzat për trafikim seksual, kishte qenë klient i ‘JPMorgan’ për 15 vjet, midis 1998 dhe 2013.