Vendosni fjalën kyçe....

14 vjetori i anëtarësimit në NATO, Berisha e Meta: Mburojë e paqes e lirisë në botë. Korrupsioni qeveritar ka dëmtuar ushtrinë


Ish-kryeministri Berisha e kreu i Partisë së Lirisë Meta kanë përkujtuar sot 14 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Berisha shkruan se anëtarësimi i vendit në aleancën politico-ushtarale më të fuqishme u mundësua nga sukseset e reformave, funksionimi i shtetit ligjor e ekonomisë së tregut.

Berisha falënderoi për anëtarësimin ish-presidentin amerikan George W. Bush dhe vendet anëtare.

“Sot ditë historike, 14 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, aleancën politike dhe ushtarake më të fuqishme të kohërave. Ky anëtarësim u bë i mundur nga sukseset e reformave të thella dhe gjithanëshme, funksionimi i shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Kjo ëndërr u bë realitet për shqiptarët me mbështetjen e fuqishme të presidentit të SHBA, mikut të madh të kombit tonë George W. Bush dhe vendeve anëtare të NATO-s. Sot NATO e udhëhequr nga SHBA është mburoja më e fuqishme e paqes dhe lirisë në botë. Zoti e bekoftë NATO-n dhe vendet e saj anëtare! #sb.” – shkruan Berisha.

 

Meta nga ana e tij, përveç urimit e falënderimeve për anëtarësimin e vendit në aleancë, denoncon kushtete vështira në të cilat punojnë ushtarakët shqiptarë e korrupsionin e qeverisë, që ka cenuar asetet më strategjike në fushën e mbrojtjes e sigurisë kombëtare.

Kreu i Partisë së Lirisë shkruan se forcat e armatosura do kenë mbështetjen e duhur përmes rritjes së buxhetit dhe heqjen e politizimit të institucioneve të sigurisë kombëtare.

“Sot është 14 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, strukturën më të rëndësishme të mbrojtjes dhe ruajtjes së paqes në botë. Qytetarët tanë prej 1 Prillit 2009, kanë garancinë e plotë se vendi i tyre gëzon mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë përmes ekzistencës së kësaj Aleance. Ata jetojnë në një rajon, për paqen dhe stabilitetin e të cilit, NATO ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol jetik dhe të pazëvendësueshëm. Një falënderim e mirënjohje për SHBA dhe në veçanti për Presidentin George W. Bush, i cili edhe me vizitën e tij të paharruar në Tiranë, të vitit 2007, frymëzoi e mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Mirënjohje për të gjithë ata burra e gra, në politikë, por edhe në fushën ushtarake e të sigurisë, që realizuan 14 vite më parë rreshtimin e Shqipërisë krah aleatëve tanë në NATO. E ndërsa sot nderojmë ushtarakët tanë, që bëjnë më të mirën për Forcat tona të Armatosura, nuk mund të harrojmë kushtet e vështira në të cilat ata shërbejnë si dhe korrupsionin qeveritar, i cili ka cënuar edhe disa nga asetet më strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare. Partia e Lirisë angazhohet për t’u dhënë mbështetjen e merituar Forcave tona të Armatosura, përmes rritjes të buxhetit për mbrojtjen sipas kërkesave të NATO si dhe dhënies fund njëherë e përgjithmonë të politizimit të institucioneve të sigurisë kombëtare.” – shkruan Meta.