Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i SPAK-ut: S’e kemi sekuestruar inceneratorin e Tiranës, mund të na çojnë në Arbitrazh. Stela Gugallja e Adriatik Llalla në proces ekstradimi


Kreu i SPAK-ut Altin Dumani tha sot se prokuroria po kryen hetime me intensitet të lartë për inceneratorin e Tiranës.

I pyetur pse nuk sekuestrohet ai tha se duhet treguar kujdes pasi ka kompani që mund ta çojnë shtetin në Gjykatën e Arbitrazhit.

Po për çështjen e inceneratorëve Dumani ceku një nga personat në kërkim për inceneratorin e Elbasanit, Stela Gugalljan, që është ndaluar në Austri dhe kërkohet nga drejtësia shqiptare. Ai tha se nuk kishte dijeni mbi procedurat e ekstradimit.

“I takon prokurorit të çështjes. E para ata po kryejnë shumë veprime hetimore, me intensitet shumë të madh madhe. Aty ka shoqëri pas shoqërie dhe duhet ti gjendet pronari real se nesër pasnesër të çon në arbitrazh. Patjetër që po paguajmë se është detyrim kontraktual. Por e para prokurori konstaton paligjshmëri dhe më pas nxjerr përgjegjësit. Për Stela Gugalljan nuk kemi përgjigje zyrtare nga autoritetet austriake. Thjesht dimë që ka një proces ekstradimi, por nuk dimë për vijimin e tij, pasi janë autoritete të tjera që merren me procedurat.” – tha Dumani.

Lidhur me ekstradimin e ish-kryeprokurorit Adriati Llalla, i cili ndodhet në Itali, Dumani tha se po punohet për sjelljen e tij para drejtësisë shqiptare ku është dënuar me 2 vite burg për fshehje pasurie.

“Adriatik Llalla ka përfituar nga Gjykata e Apelit në Romë marrjen e pasaportës me qëllim lëvizjen brenda territorit italian. Procesi vijon në Itali për ekstradimin e ish-kryeprokurorit të Shqipërisë Adriatik Llalla.” – tha Dumani në komunikimin me gazetarët.

Lidhur me çështjen McGonigal ai tha se nuk ka asnjë hetim në Shqipëri për këtë gjë.

“Nuk do merrni ju dhe askush përgjigje, prokuroria nuk jep njoftimi kur heton njerëz. Nuk ka procedim zyrtar asnjëherë. E quajmë të tejkaluar këtë temë. Është çështje e prokurorit dhe mund të vendos të mos e ndajë me askënd.” – tha Dumani.