Vendosni fjalën kyçe....

Ndihma e bankave mund t’u kushtojë miliarda taksapaguesve zviceranë – Bloomberg


Vendimi i Zvicrës për të shpëtuar bankën e rrënuar të investimeve Credit Suisse mund të jetë një barrë e madhe për taksapaguesit e vendit, sipas llogaritjeve të Bloomberg.

Qeveria zvicerane është zotuar të thithë 9 miliardë franga zvicerane nga humbjet e bankës dhe të sigurojë një rezervë të likuiditetit publik prej 100 miliardë frangash nga Banka Kombëtare Zvicerane (SNB).

Kjo do të thotë se çdo banor nga popullsia 8.7 milionëshe e Zvicrës do paguajë 12,500 franga për shpëtimin e bankës, vuri në dukje Bloomberg.

Marrëveshja përmend gjithashtu një garanci të veçantë prej 100 miliardë frangash nga Banka Qendrore zvicerane që nuk mbështetet nga qeveria.

Duke shtuar kredinë prej 50 miliardë frangash nga SNB që banka siguroi javën e kaluar, shuma e plotë e shpëtimit do arrijë në 259 miliardë franga (280 miliardë dollarë), që është e barabartë me rreth një të tretën e të gjithë prodhimit ekonomik të Zvicrës në 2022.

Shuma do e bëjë marrëveshjen shpëtimin më të madh të një korporate të Zvicrës, duke tejkaluar shumë pak shpëtimin prej 60 miliardë frangash të UBS-së në vitin 2008.

“Qeveria do t’i duhet t’u thotë votuesve pse po rrezikojnë paratë e qytetarëve, paratë e taksapaguesve për të shpëtuar një bankë që kryesisht u shërbente ultra të pasurve, duke bërë disa gjëra të çmendura me bankën e saj të investimeve dhe duke u paguar njerëzve shuma të çmendura të parave në krahasim me atë që paguhet njeriu në punë të zakonshme.” – tha një ish-shef i bankës globale për Reuters në kushte anonimiteti.

Marrëveshja e bashkimit ka zemëruar tashmë popullatën zvicerane, me rreth 200 njerëz që protestuan jashtë selisë së Credit Suisse në Cyrih të hënën. Disa brohorisnin ‘hani të pasurit’ dhe hodhën vezë në drejtim të ndërtesës.

Analistët thonë se kostoja përfundimtare e shpëtimit mund të mos jetë domosdoshmërisht aq e lartë sa parashikon marrëveshja, ndërsa mosveprimi nga ana e qeverisë mund t’i ketë kushtuar Zvicrës reputacionin e saj si një qendër financiare globale.

Sipas Manuel Ammann, kreu i Institutit Zviceran të Bankave dhe Financave në Universitetin e St. Gallenit, garancia e SNB-së do mbulohej pjesërisht nga letrat me vlerë dhe privilegjet e falimentimit, që do të thotë se në fund të fundit mund të mos ketë nevojë të futet te fondet shtetërore.