Vendosni fjalën kyçe....

Bashkia e Elbasanit hedh poshtë akuzat e Boçit se shpërndanë ndihma në komunitetin rom në këmbim të votës


Bashkia e Elbasanit ka përgënjeshtruar Luçiano Boçin, i cili është kandidati i Partisë Demokratike për qytetin e Elbasanit, ku hodhi akuza në drejtim të bashkisë së Elbasanit se po shpërndan ndihma për përfaqësues të komuniteteve rom dhe egjiptian në Elbasan, me kushtin që këta të fundit të dorëzojnë kartat e identitetit dhe të hedhin firma se do të jenë votues të Partisë Socialiste.

Institucioni që e ka trajtuar në mënyrën më të padinjitetshme komunitetin rom dhe egjiptian në Elbasan, tani po u jep lëmoshën e radhës për t’u blerë votën. Pas zgjedhjeve i harron, i përçmon, i përzë, i fyen! Padiskutim merrini ndihmat se ato janë paratë e taksave të qytetarëve të Elbasanit, por në 14 maj me votë jepini ndëshkim atyre që ju kanë përbuzur për 16 vite!’– akuzoi Boçi.

Përmes një njoftimi për media, Bashkia Elbasan sqaron se ndihmat e shpërndara janë një aktivitet bamirësie i Shoqatës “Mirësi për Botën” të cilët si çdo vit shpërndajnë ndihma tek familjet në nevojë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

“Keqardhje për spekulimet e ulëta politike të lëshuara në publik nga shtetasi Luçiano Boçi ndaj institucionit të Bashkisë së Elbasanit. Pamjet e shitura prej tij në rrjetet sociale e më pas në media si gjoja shpërndarje ndihmash nga Bashkia e Elbasanit në fakt janë as më pak e as më shumë se sa një aktivitet bamirësie i Shoqatës “Mirësi për Botën” të cilët si çdo vit shpërndajnë ndihma tek familjet në nevojë me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit”. 

Më tej në reagim thuhet se i vetmi ndryshim nga vitet e shkuara është se shtetasit Luçiano Boçi i janë errësuar sytë në ëndrrën e tij për të pushtuar Bashkinë e Elbasanit.