Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike zyrtare, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas dorëzimit në KQZ të kërkesës për regjistrimin e koalicionit “Bashkë fitojmë” (BF).
Alibeaj e cilëson në kufijtë e një vepre penale përdorimin e emrit dhe siglës së PD-së.
Alibeaj mbetet në pritje të vendimit të KAS dhe i kërkon kreut të KQZ-së që të marrë masa urgjente për të shmangur regjistrimin e koalicionit që po përdor në mënyrë të paligjshme logon dhe simbolet e PD-së.
“Depozitimi në KQZ për regjistrimin e koalicionit “Bashkë fitojmë” përmban një shkelje të rëndë lidhur me përdorimin e siglës dhe emrit të PD. Ky përdorim, i shkruar në një dokument zyrtar që ndodhet aktualisht në KQZ, është në kufijtë e një vepre penale.
PDSH nuk është regjistruar ende në KQZ, kjo falë tifozërisë politike të drejtuesit të saj. Në cilësinë si kryekomisioner, Celibashi duhet të marrë masa urgjente për të shmangur regjistrimin e një koalicioni që përdor në mënyrë të paligjshme logon dhe simbolet e PD.
Partia Demokratike mbetet në pritje të vendimit të nesërm të KAS. Çdo përdorim juridik në KQZ apo në institucione të tjera i emrit, siglës apo logos së saj është shkelje e Kodit Zgjedhor dhe mashtrim për zgjedhesit“-shkruan Alibeaj.