Vendosni fjalën kyçe....

Berisha hap fushatën zgjedhore në Mallakastër: Kandidatët e Ramës janë të bandave kriminale


Partia Demokratike e shpalli që sot të hapur fushatën zgjedhore në bashkinë e Mallakastrës.

Kreu i PD-së Sali Berisha prezantoi para simpatizantëve dhe qytetarëve kandidaturën e Resmi Shanos, i dalë nga primaret e PD. 

Berisha kërkoi votat për kandidaturën e opozitës i zgjedhur nga vetë demokratët, ndërsa theksoi se alternativa tjetër vjen nga bandat dhe mafiozët të cilët nuk kanë për interes qytetarët.  

“Sot kemi edhe një tjetër ngjarje të madhe. Ne paraqesim para jush kandidatin për kryetar bashkie, të Mallakastrës zotin Resmi Shano, i cili është një bir i juaj, i cili siç e dini, e njihni me respekt, me dashuri me përkushtim është kujdesur vite e vite dhe ka mësuar fëmijët tuaj. Ai përfaqëson një familje dinjitoze mallakastriote, ai përfaqëson virtytet, moralin e shkëlqyer të mallakastriotëve. Ai ka për ju respektin dhe dashurinë më të madhe. 

Prandaj vijmë këtu me shumë krenari për ta paraqitur para jush. Vijmë këtu për të çelur gjithashtu fushatën elektorale të fitores së PD-së. Resmiu është kandidati që ka mbështetjen e plotë dhe totale të PD-së dhe Sali Berishës. Por Resmiu është kandidati juaj, i zgjedhur nga ju me votën tuaj të lirë. Nuk vjen nga zyrat e askërkujtë, vjen nga ju, nga dëshira juaj. Kandidati i Edi Ramës është kandidati i Rama-Gonigal i mafiozëve, i bandave, i krimeve dhe vjedhjeve. Atë se lidh asgjë me ju”, u shpreh Berisha.