Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Nesër dorëzojmë në KQZ dokumentet për t’u regjistruar  në zgjedhje


Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për vendimin e marrë dje nga Gjykata e Apelit për vulën e simbolet e PD-së.

Ai tha se vendimi i gjykatës është marrë në zyrat e kryeministrit që sipas tij po bën çmos që të pengojë PD-në nga pjesëmarrja në zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Në kulmin e skandalit botëror Rama-McGonigal, Edi Rama pasi e bllokoi gjykatën për 8-9 muaj me radhë, njoftoi dje tre ditë para mbylljes së regjistrimit të forcave politike në zgjedhje, me qëllimin e vetëm bllokimin e pjesëmarrjes së PD-së në zgjedhje, përjashtimin e saj. Një vendim i pashembullt në historinë botërore të vendeve lira, se në diktatura vendimet janë të çdo lloj karakteri. Gjykatësit e Apelit lexuan dje një shkresë të përgatitur në zyrat e Edi Ramës dhe të dorëzuar nga zonja Elira Kokona, në të cilën ata njoftojnë, apo marrin vendimin për një proces gjyqësor, vendim gjykate në të cilin vetë ata që ishin ankuar, të turpëruar  botërisht para të gjithë audiencës së gazetarëve u detyruan të thonë se nuk kemi qenë palë.” – tha Berisha.

Në mbledhjen me grupin parlamentar që kontrollon, Berisha shtoi se nesër ai do dorëzojë në KQZ dokumentët për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 majit.

Ai theksoi se nuk beson se KQZ-ja do pranojë regjistrimin në zgjedhje të grupit tjetër në PD të kontrolluar nga Alibeaj.

“Nesër do dorëzojmë gjithë dokumentet për regjistrim. Kodi zgjedhor në nenin 64, pika 2 b, përcakton se që partia politike të regjistrohet, detyron që të jetë emri i kryetarit të partisë, adresa dhe gjithçka tjetër rreth tij. Dhe deklaratën e tij se nuk do blejë vota, nuk ka parashikuar kur kryetari është i blerë vetë. Se çfarë ndodh, Edi Rama e mban dhe Lulzim Basha në një akt vetëposhtërimi pasi e detyruan të japë dorëheqjen, prej kaq muash që nga marsi gjer tani, tani i thotë Rama, ti nuk ke dhënë dorëheqje, je kryetar. Dhe e ngarkon me detyrë, meqenëse banaliteti shkon gjer në qiell, i ka thënë se po u paraqit si kryetar, do të autorizojë Alibashën në emrin e tij. Kjo është skema, por unë besoj se KQZ nuk do e pranojë diçka të tillë” – tha Berisha.