Vendosni fjalën kyçe....

Mbledhja ndërqeveritare Shqipëri-Mali i Zi, firmosen marrëveshjet dypalëshe


Kryeministri Edi Rama dhe Dritan Abazoviç kanë drejtuar sot mbledhjen e përbashkët të dy qeverive përkatëse, të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ata kanë firmosur marrëveshjet e pikës së re ndërkufitare dhe ndërtimin e urës mbi lumen Buna.

Firma bashkëpunimi në fusha të ndryshme, janë hedhur gjithashtu nga disa ministra.

Kështu memorandumi për Mirëkuptim në bashkëpunimin e fushës së Energjisë është firmosur nga Belinda Balluku dhe Zv/kryeministri dhe Ministri  i investimeve kapitale në Mal të Zi, Ervin Ibrahimoviç. 

Një marrëveshje për peshkimin në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës u nënshkrua nga ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca dhe homologu i saj Vlladimir Jokoviç. Gjithashtu nga këta të dy është firmosur marrëveshja në fushën e mbrojtjes së shëndetit të bimëve.

 Një tjetër marrëveshje është për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes sociale është firmosur nga Delina Ibrahimi dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Shoqërore malazee Admir Adroviç.

Ndërsa një memorandum bashkëpunimi është firmosur edhe në fushën e arsimit. Marrëveshja është firmosur nga ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja  për Rininë dhe Fëmijet Bora Muzhaqi dhe Ministri i Sportit dhe Rinisë në Mal të Zi Vasilije Llallosheviç.

Në ceremoni u firmos gjithashtu programi i bashkëpunimit kulturor midis Elva Margariti dhe homologut malazez. Gjithashtu dy palët kanë firmosur një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi (Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe Drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes Filip Axhic).

Në fund është firmosur edhe memorandumi i bashkëpunimit midis dy ministrive të shëndetit. Firmosja është bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Orgeta Manastirliu dhe Ministri i Shëndetit Dragosllav Shqekiç.