Vendosni fjalën kyçe....

Falsifikim dokumentesh për britanikët që donin të qëndronin në Spanjë pas Brexit, 47 të arrestuar


Policia spanjolle tha se ka shkatërruar dy rrjete kriminale të dedikuara për falsifikimin e dokumenteve për shtetasit britanikë që donin të qëndronin në Spanjë më gjatë sesa do e lejonte ligji pas Brexit.

Policia arrestoi 47 persona në Marbella, 42 prej të cilëve të përfshirë drejtpërdrejt në falsifikimin e dokumenteve dhe pesë të tjerë që menaxhonin zyrat që ofronin shërbimet në Marbella dhe Ceuta.

Policia thotë se dy organizatat e pavarura kriminale po ofronin shërbimet. Tarifa mesatare për falsifikimin e dokumenteve që do t’i lejonin individët britanikë të banonin në Spanjë ishte 1,600 euro (1,694 dollarë) për person.

Hetimi filloi në vitin 2021 kur policia vuri re një numër pretendimesh të dyshimta për qëndrim në Ministrinë e Jashtme të Malagas. Kur analizuan më shumë se 200 kërkesa për qëndrim nga qytetarët britanikë, ata zbuluan se më shumë se gjysma përmbanin informacione të rreme ose dokumente të falsifikuara.

Në total, 120 britanikë, të cilëve u ishte hedhur poshtë kërkesa për qëndrim ose nuk kualifikoheshin për të qëndruar, provuan të përfitojnë përmes skemës. Të paktën tre ishin kriminelë që përpiqeshin të fshiheshin.

Mënyra kriminale përfshinte aplikimin për rezidencë përmes një rruge të veçantë qëndrimi të disponueshme vetëm për britanikët që kishin banuar në Spanjë përpara Brexit.

Para Brexit, qytetarët britanikë mund të jetonin dhe punonin në Spanjë pa vizë ose leje qëndrimi të veçantë.

Megjithatë, meqenëse qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar votuan për t’u larguar nga BE-ja, ata tani kanë nevojë për leje speciale për të qëndruar në Spanjë për më shumë se 90 ditë në një periudhë 180-ditore.