Vendosni fjalën kyçe....

U kap me verëra dhe ilaçe kontrabandë, arrestohet sërish 32-vjeçari, në tetor iu gjetën 500 mijë euro të fshehura


Policia ka arrestuar sërish 32-vjeçrin Elidon Çela pasi këtë herë iu gjetën në fugonin e tij duke futur mallra kontrabandë nga Porti i Vlorës.

32-vjeçarit iu sekuestruan një sasi medikamentesh mjekësore, lëndë e ndaluar pesticide dhe shishe me verë.

Çela u arrestua në tetor pasi iu gjetën duke futur në Shqipëri rreth 500 mijë euro për të cilat u la më pas i lirë pasi provoi se i kishte nga aktiviteti i tij i biznesit.

“Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, furgonin me drejtues shtetasin E. Ç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë furgon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan kuti me medikamente mjekësore, kuti me lëndë të ndaluar pesticide dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje.

Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin Elidon Çela, 32 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallrat e licencuara.”

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.