Vendosni fjalën kyçe....

Kongresi amerikan do hetojë bllokimin e lajmit nga Twitter për Hunter Biden


Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve po përpiqen të përmbushin një premtim të fushatës, ndërsa zhvilluan një seancë publike lidhur me kompjuterin që thuhet se i përkiste djalit biznesmen të presidentit demokrat Joe Biden.

Para fillimit të procedurave, Shtëpia e Bardhë e denoncoi seancën si “një taktikë të çuditshme politike” të motivuar nga refuzimi i fitores së zotit Biden në zgjedhjet e vitit 2020 përballë ish-presidentit republikan Donald Trump. Zoti Trump vazhdon të pretendojë në mënyrë të rreme se humbja e tij ishte rezultat i manipulimit të votave, raporton VOA.

Gjatë fjalimit në Kongres një ditë më parë mbi gjendjen e vendit, Presidenti Biden ofroi të bashkëpunonte me republikanët në disa prej problemeve më të rëndësishme në vend.

Të mërkurën Komisioni i Mbikëqyrjes i Dhomës së Përfaqësuesve dëgjoi dëshmi nga ish-drejtuesit e rrjetit Twitter lidhur me përpjekjet e platformës sociale për të kufizuar debatin lidhur me përmbajtjen e supozuar të kompjuterit të djalit të zotit Biden, Hunter, dy javë para zgjedhjeve të vitit 2020.

Avokati i zotit Hunter Biden, Abbe Lowell, ka mohuar përmes një deklarate çdo lidhje midis klientit të tij dhe asaj që ai e quajti “të ashtuquajturin laptop”, përfshirë dokumentet e gjetura në të, për të cilat republikanët “pretendojnë se janë të dhëna personale të zotit Biden”.

Seanca dëgjimore shënon procedurat e para publike të një hetimi mbi marrëdhëniet e biznesit të familjes Biden. Kryetari i komisionit, James Comer, e ka akuzuar zotin Hunter Biden për shfrytëzimin e ndikimit politik të babait të tij për përfitime biznesi.

“Kjo duket të jetë përpjekja më e fundit e anëtarëve më ekstremë të MAGA-s për të vënë në dyshim rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ian Sams.

Procedurat u përqëndruan në vendimin e rrjetit Twitter për të bllokuar përkohësisht në platformë një artikull të gazetës New York Post për laptopin në fjalë. Ish-drejtuesit e rrjetit Twitter thanë se gabimisht besuan se artikulli përmbante të dhëna të hakeruara që bien në kundërshtim me rregulloret e platformës.

Republikanët e cilësuan vendimin si pjesë e një komploti për të bllokuar lajmet për zotin Hunter Biden dhe babain e tij në prag të zgjedhjeve të viti 2020. Ata thanë se vendimi i platformës Twitter përkoi me një letër nga ish-drejtues të lartë të zbulimit amerikan që e cilësonin laptopin si dezinformim rus.

“Amerika pa një fushatë të koordinuar nga kompanitë e mediave sociale, rrjetet kryesore mediatike dhe komuniteti i zbulimit për të ndaluar dhe shkatërruar ekzistencën e laptopit të Hunter Biden-it dhe përmbajtjes së tij”, tha zoti Comer.

Demokratët e komisionit hodhën poshtë pretendimet republikane si një ndjekje të parëndësishme për një temë që ka mahnitur konservatorët e linjës së ashpër për më shumë se dy vjet.