Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i Dhomës së Avokatisë Vlorë kundër hartës gjyqësore: Shton kostot për qytetarët e vonon drejtësinë


Kreu i Dhomës së Avokatisë së Vlorës Durim Bajramaj ka shprehur rezerva të forta ndaj hartës së re gjyqësore që hyri në fuqi sot.

Në një deklaratë për Report Tv, ai tha se me shkrirjen e pesë Gjykatave të Apelit qyteratët do kenë më pak qasje në drejtësi ndërsa shpenzimet e tyre do shtohen.

“Hyn në fuqi vendimi për reduktimin e 5 gjykatave të Apelit në rrethe duke lënë vetëm një në Tiranë. Nga sot qytetarët do kenë më pak akses në drejtësi, më shumë kosto për të marrë drejtësi. Duke parë që do ketë kosto, kërkohet një kohë e gjatë për të dhënë drejtësi është ajo frika që qytetarët do heqin dorë nga kërkimi për drejtësi dhe do i drejtohet rrugës tjetër, ajo që është edhe më e frikshme, ajo e vetëgjyqësisë. Një qytetar shqiptar nuk mund ta marrë drejtësinë pas 10 vitesh. Këtë shqetësim kemi ngritur ne. U kemi thënë që Shqipëria nuk është as Suedi as Danimarkë. Ata kanë kushte të tjera jetese.” – tha Bajramaj.

Ai shtoi se Dhoma e Avokativë së Shqipërisë e ka paditur në Gjykatën Kushtetuese hartën gjyqësore duke paralajmëruar se do e çojë në Gjykatën e Strasburgut nëse Gjykata Kushtetuese e lë në fuqi.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka zhvilluar disa protesta muaj më parë duke e kundërshtuar ashpër këtë hartë, që sipas tyre jo vetëm shton së tepërmi shpenzimet për qytetarët por vonon dhënien e drejtësisë për ta.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësore Naureda Llagami, organi që ka përgatitur hartën, e mbrojti atë duke thënë se kjo bëhet në interes e shërbim të qytetarëve dhe se tendenca po ndiqet nga vendet më të zhvilluara.

Nga 27 mijë dosjet që janë në pritje në Gjykatën e Apelit, do ketë një rihedhje shorti për t’u shqyrtuar nga 25 anëtarët e Gjykatës së Apelit në Tiranë, e vetmja që ka mbetur pas hartës së ka hyrë në fuqi sot pas shkrirjes së pesë të tjerave.

Harta e re ka prekur edhe Gjykatat e Shkallës së Parë pasi nga 22 të tilla kanë mbetur vetëm 12.