Vendosni fjalën kyçe....

27 mijë dosje do shqyrtohen nga 25 gjyqtarë: Llagami mbron hartën gjyqësore: Tendencë drejt së cilës po shkojnë vendet e zhvilluara


Naureda Llagami, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, organi që ka hartuar hartën e re gjyqësore që hyn në fuqi sot, ka mbrojtur reformën duke theksuar se ajo që po zbatohet në Shqipëri është një tendencë drejt së cilës po shkojnë të gjitha vendet e zhvilluara.

Sipas saj harta e re gjyqësore do rrisë cilësinë e shërbimit që japin gjykatat dhe se synimi është pasja e gjykataver më të mëdha.

Llagami tha se pas tre vitesh rrugëtim reforma është rrugë pa kthim.

Ajo tha gjithashtu se 27 mijë çështje që nuk janë shqyrtuar ende do i nënshtrohen rihedhjes së shortit për t’u shqyrtuar nga trupa gjyqësore prej 25 gjyqtarësh.

“KLGJ pavarësisht masave që mori me rritjen e kuotave për magjistratët e rinj, u pa e udhës që përveç këtyre masave duhej te merreshin masa edhe strukturore, pra harta e re gjyqësore. Ishte një tendencë që sot po shkojnë gjithë vendet e zhvilluara, rritjen e shërbimit të cilësisë që japin këto gjykata. Synojmë që të kemi gjykata më të mëdha, të profilizuara me gjyqatarë të mirë që do ndikojë tek cilësia e vendimmarrjes që do ketë impakt tek publiku. Nuk ishte procesi i lehtë, na mori 3 vjet. Nuk ishte diçka e thjeshtë, pasi përballeshim çdo ditë me prioritete. Nuk do ishte bërë nëse ne s’do kishim edhe mbështetjen e partnerëve tanë. Me gjithë kundërshtitë dhe dilemat arritëm ta miratonim se e kuptuam që ishim në një rrugë pa kthim. Çdo çështje që ka filluar gjykimin, do vazhdojë gjykimin, 1868 çështje. 27 mijë çështjes që janë bashkuar, kanë emigruar dhe janë gati për t’u rishortuar në trupën gjyqësore prej 25 vetash.” – tha Llagami.