Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministri ukrainas tregon afatin kohor për shpresat e anëtarësimit në BE


Ukraina e sheh veten si pjesë e BE-së në dy vjet, por edhe mbështetësit e saj më të zjarrtë në bllok besojnë se objektivi është tepër ambicioz, raportoi Politico të hënën. Afati u vendos nga kryeministri Denis Shmigal përpara një takimi BE-Ukrainë në Kiev të premten e ardhshme.

“Ne presim që këtë vit, të mund të kemi tashmë këtë fazë parahyrëse të bisedimeve.” – tha Shmigal për gazetën.

Ukraina aplikoi për statusin e kandidatit në BE shkurtin e kaluar, pasi Rusia nisi sulmin ushtarak ndaj vendit. Brukseli i dha Kievit statusin në qershor, megjithëse koha e pranimit mbetet një çështje debati.

Kievi dhe mbështetësit e tij më të mëdhenj, si Polonia, pretendojnë se Ukraina meriton të udhëhiqet shpejt drejt anëtarësimit të plotë. Kombet më skeptike kanë argumentuar se mund të duhet kohë e konsiderueshme përpara se vendi të përmbushë kriteret.

Presidenti francez Macron paralajmëroi në maj se procesi i pranimit ‘do zgjasë ndoshta disa dekada’, nëse BE-ja nuk ul kërkesat e saj ‘dhe gjithashtu pjesërisht parimet që ne mbajmë’.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, i cili udhëtoi në Kiev në fillim të këtij muaji për të ofruar siguri se Ukraina do bëhet përfundimisht pjesë e BE-së, tregoi se udhëheqja e bllokut nuk ka ndërmend të ndryshojë rregullat.