Vendosni fjalën kyçe....

Qindra oficerë të Policisë Metropolitane të Londrës do verifikohen për abuzim seksual


Policia Metropolitane e Londrës po shqyrton akuzat për abuzim seksual brenda radhëve të saj që përfshijnë rreth 800 oficerë, ka zbuluar komisioneri Sir Mark Rowley.

Deklarata erdhi menjëherë pasi një anëtar i saj, David Carrick u deklarua fajtor për 49 vepra të tilla, duke përfshirë dhjetëra përdhunime.

Roëley zbuloi se 1,633 raste të abuzimit të dyshuar seksual gjatë dhjetë viteve të fundit janë duke u shqyrtuar. Për më tepër, i gjithë personeli prej 45,000 anëtarësh i Policisë Metropolitane do rikontrollohet për të parë nëse ndonjë shkelje e kaluar nuk është verifikuar e trajtuar si duhet, tha ai.

Carrick, rasti i të cilit ka sjellë në qendër të vëmendjes problemin, pranoi gjashtë akuza të tjera për abuzim seksual të hënën, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 49. Oficeri besohet se ka kryer krimet kundër 12 grave gjatë dy dekadave.

Komisioneri Rowley u kërkoi falje viktimave për dështimin e Policisë Metrpolitane për të hetuar Carrick për kaq gjatë, duke shtuar se ky i fundit ‘nuk duhet të kishte qenë oficer policie’.

“Ne kemi zhgënjyer gratë dhe vajzat, dhe në të vërtetë kemi zhgënjyer londinezët.” – tha ai.

Ai shtoi se policia është e vetëdijshme se rasti i profilit të lartë ka të ngjarë të shkatërrojë besimin tek oficerët e Policisë Metropolitane mes shumë grave në kryeqytetin britanik.

Çështja u ngrit pasi u zbulua se ankesat e shumta kundër Carrick në fakt ishin depozituar në polici që nga viti 2000 e deri në vitin 2021.