Vendosni fjalën kyçe....

Norvegjia bën zbulimin magjepsës


Një ekip arkeologësh norvegjezë ka gjetur atë që ata e quajnë gurin më të vjetër rune të njohur deri më sot. Shkëmbi i vogël në ngjyrë kafe, i gdhendur me mbishkrime misterioze, thuhet se daton që nga koha e Jezu Krishtit dhe është rreth 2000 vjet i vjetër.

“Mbishkrimet deri në 2000-vjeçare janë nga periudha më e vjetër në historinë enigmatike të shkrimit runic.” – tha në një deklaratë për shtyp Muzeu i Historisë Kulturore në Oslo, i cili ishte i pari që dha lajmin këtë javë.

Një pjesë e vogël guri ranor u gjet ndërsa ekipi po ekzaminonte një varrezë të lashtë pranë liqenit të Tyrifjorden, në veriperëndim të kryeqytetit norvegjez të Oslos, në fund të vitit 2021. Sipas muzeut të Oslos, runat në gur janë ‘më të vjetrat shkrim i njohur në Norvegji’. Autori i runes ‘fliste një gjuhë të lashtë që konsiderohet si pararendëse e norvegjishte së së vjetër’, gjuha mëmë e të gjitha gjuhëve nordike që fliten sot, shtohet në deklaratë.

Guri ka disa lloje gdhendjesh, tha muzeu, duke shtuar se jo të gjitha ato ‘kanë kuptim gjuhësor’. Disa runa dallohen qartë midis mbishkrimeve të tjera, duke formuar fjalën ‘idiberug’, thuhet në deklaratë. Por shkencëtarët deri më tani nuk kanë arritur të konfirmojnë kuptimin e saktë të tij, duke besuar se mund të ketë qenë emri ‘Idibergu’ ose emri i familjes ‘Idiberung’.

Datimi me karbon i eshtrave dhe drurit të zbuluar në varrezat pranë gurit të runës sugjeron se ai ishte gdhendur midis viteve 1 dhe 250 pas Krishtit, kur Perandoria e lashtë Romake ishte në rritje dhe krishtërimi po hidhte hapat e tij të parë. Sipas disa raporteve të mediave, guri është gjithashtu shekuj më i vjetër se të gjithë gurët e tjerë rune të zbuluar më parë.

“Kjo gjetje do na japë shumë njohuri për përdorimin e runave në epokën e hershme të hekurit. Kjo mund të jetë një nga përpjekjet e para për të përdorur runat në Norvegji dhe Skandinavi në gur.” – tha Kristel Zilmer, një profesore në Universitetin e Oslos për AP. Ajo gjithashtu e quajti zbulimin ‘gjëja më e bujshme që unë, si akademike, kam pasur’.

Alfabetet runike ishin në përdorim nga popujt gjermanikë, duke përfshirë skandinavët, përpara se të përshtasnin alfabetin latin. Disa forma të shkrimit runik u përdorën në Skandinavi gjatë Mesjetës dhe provinca suedeze Dalarna e mbajti këtë formë shkrimi deri në shekullin e 20-të.