Vendosni fjalën kyçe....

Begaj mbledh trupën e huaj diplomatike: Hakerat iranianë sulmuan Shqipërinë se e menduan si një shtet që mundet lehtë


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mblodhi ditën e sotme një takim me trupën diplomatike të akredituar në Shqipëri.

Kreu i Shtetit gjatë fjalimit të tij foli edhe mbi sulmin kibernetik ndaj portaleve qeveritare.

Presidenti Begaj tha se hakerat iranianë sulmuan vendin duke menduar se është një shtet që mund të mundet lehtë, por ata me sa duket nuk e njohin mirë Shqipërinë dhe historinë e saj.

E them këtë me plot gojë si Presidenti i një vendi që nuk është gjendur asnjëherë në rolin e agresorit, por i është dashur të vetëmbrohet vendosmërisht. Dhe, rasti më  i freskët është sulmi kibernetik ndaj shtetit shqiptar, sulm i strukturuar në skuta totalitare dhe i lëshuar dëshpërimisht ndaj një vendi të lirë e demokratik. Ndoshta agresorët e fshehur pas pushteteve anti-demokratike mendojnë se vendi ynë i vogël gjeografikisht mundet shpejt e thjeshtë. Por mesa duket, nuk njohin as historinë, dhe as Shqipërinë.

Dua të falënderoj aleatët e partnerët tanë në NATO, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e bashkëpunimin që Shqipëria t’i bëjë ballë sulmeve të natyrave të ndryshme e tentativave për të destabilizuar apo dëmtuar vendin tonë. Ne gjithashtu mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë në nivel rajonal, po aq sa në atë euroatlantik për t’u bërë ballë sulmeve, provokimeve, e për të forcuar paqen e mirëqënien e popujve. Shqiptarët kanë ditur të jenë në krahun e popujve të tjerë në emër të lirisë, barazisë e mirëqënies. Duke forcuar drejtësinë, demokracinë dhe aleancat tona, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë“, deklaroi Begaj.