Elemente të huaj mund të jenë përfshirë në trazirat vdekjeprurëse që kanë kapluar Perunë për më shumë se një muaj tani, ka pohuar presidentja Dina Boluarte.
Në një fjalim të premten, ajo kërkoi falje për përleshjet e dhunshme, të cilat kanë shkaktuar më shumë se 40 të vdekur, por këmbënguli se nuk do tërhiqet.
Boluarte tha se ‘vendi meriton ta dijë, prandaj ne përshëndesim edhe hetimet që Ministria e brendshme ka ndërmarrë për të identifikuar përgjegjësitë’. Ajo shpjegoi se qeveria po ofron të gjithë mbështetjen e nevojshme për të siguruar që hetimet të arrijnë të vërtetën në kohën e duhur.
Ajo shprehu shpresën se përfshirja e mundshme e aktorëve të tillë do hetohet tërësisht.
Duke iu përgjigjur thirrjeve për dorëheqje nga drejtuesit e partisë së majtë, ajo këmbënguli se nuk do tërhiqet dhe u zotua se autoritetet do arrijnë të përmirësojnë punën e tyre në të ardhmen.
Boluarte vuri në dukje se ajo kishte ftuar vëzhgues nga Komisioni Ndëramerikan për të Drejtat e Njeriut (IACHR), pasi qeveria ‘nuk ka asgjë për të fshehur’.
Protestat e dhunshme janë ndezur në Peru që nga fillimi i dhjetorit, pasi ish-presidenti Pedro Castillo u hoq nga detyra dhe u burgos për akuzat për korrupsion. Castillo ka mohuar çdo keqbërje dhe pretendon se rrëzimi i tij ishte orkestruar nga kundërshtarë politikë që duan të përmbysin vullnetin e votuesve.
Sipas zyrtarëve, 47 persona kanë vdekur në përleshjet deri më tani. Të mërkurën, një oficer policie u vra dhe kufoma e tij u dogj brenda një makine patrullimi, ndërsa një tjetër u plagos rëndë në jug të vendit.