Vendosni fjalën kyçe....

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Kuqo, liroi të dënuarin përjetë


Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), e ka cilwsuar të vlefshëm procesin e ndjekur nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) dhe vendimmarrjen e mëpasshme të Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili kishte pranuar në vitin 2020, kërkesën për shkarkimin e gjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo.

Në vendimin e shpallur të premten, Kolegji vlerëson se ndodhet përballë “një shkeljeje shumë të rëndë disiplinore” e cila “ka diskredituar pozitën dhe figurën e gjyqtarit”, raporton VOA.

Rasti i gjyqtarit Kuqo, lidhet me një vendim të dhënë prej tij në shkurt të vitit 2019, për lirimin me kusht të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Gerd Gjinarari, i arrestuar dhe dënuar nga drejtësia italiane për një sërë veprash të rënda.

Disa muaj më vonë, Gjykata e Apelit të Korçës kishte rrëzuar vendimin e gjyqtari Kuqo, por pa mundur të kthejë në burg Gjinararin, i cili ndërkohë ishte zhdukur.

Gjyqtari nga ana e tij, ju drejtua menjëherë Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqimin e vendimit. Por në shkurt të vitit 2021 kjo Gjykatë nuk pranoi ta kalojë çështjen për shqyrtim në seancë, duke qenë se një kompetencë e tillë i njihej Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Një muaj më pas, ankimimi i dorëzohet Kolegjit. Procedurat e këtushme u pezulluan për një periudhë 4-mujore, gjatë vitit 2020, pasi KPA-ja vendosi të presë dhe vlerësimin e Gjykatës së Lartë, lidhur me vendimin e Apelit të Korçës për rastin e lirimit me kusht të Gjinararit. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në korrik të vitit të kaluar, la në fuqi vendimin që rrëzonte lirimin e të dënuarit me burg të përjetshëm.