Vendosni fjalën kyçe....

OBSH i kërkon Kinës “transparencë” mbi të dhënat për Covidin


Organizata Botërore e Shëndetësisë u kërkoi përsëri zyrtarëve shëndetësorë të Kinës që të ndajnë rregullisht informacione specifike, në kohë reale për rritjen e rasteve me Covid në vend.

Siç shkruan The Guardian, shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus zbuloi se ekspertët e organizatës takuan zyrtarët kinezë të premten dhe “theksuan përsëri rëndësinë e transparencës dhe ndarjes së rregullt të të dhënave për të formuluar vlerësime të sakta të rrezikut dhe për të informuar përgjigjen efektive.”

Në veçanti, OBSH kërkoi më shumë të dhëna të sekuencës gjenetike, të dhëna për shtrimet në spital, pranimet dhe vdekjet në njësinë e kujdesit intensiv – dhe të dhëna për vaksinat e bëra dhe statusin e vaksinimit, veçanërisht në njerëzit e cenueshëm dhe ata mbi 60 vjeç.

OBSH ftoi shkencëtarët kinezë të paraqesin të dhëna të detajuara mbi sekuencën virale në një takim teknik të OBSH-së që do të mbahet më 3 janar.

Komisioni Kombëtar i Shëndetit i Kinës tha për takimin vetëm se zyrtarët e tij shëndetësorë kishin shkëmbyer pikëpamje me OBSH-në dhe se do të mbaheshin më shumë shkëmbime teknike.

Një rritje e infeksioneve në të gjithë Kinën dhe mungesa e të dhënave kanë nxitur shumë shtete të Evropës dhe në botë që të kthejnë testet për udhëtarët që vijnë nga Kina.