Vendosni fjalën kyçe....

Inceneratori i Fierit/ Apeli i GJKKO-së lë në burg ish-zëvendës presidentin e FSHF-së


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për të lënë në “arrest me burg” ish-zëvendës presidentin e FSHF-së, Arben Dervishajn, i cili akuzohet se është përfshirë në skemën e mashtrimit me inceneratorin e Fierit.

Ish-zyrtari i FSHF-së kishte apeluar masën e ashpër të sigurisë duke kërkuar ndryshimin e saj. Por kërkesa e tij u rrëzua këtë të enjte edhe në Apel.

Dervishaj dyshohet si i përfshirë në skandalin e pagesave të dyshimta për inceneratorit të Fierit. Ai akuzohet se ka përfituar mbi 740 mijë dollarë për konsulencën e dhënë për inceneratorët.

Emri i tij doli gjatë Komisionit Hetimor për inceneratorët në dëshminë e administratores së inceneratorit të Tiranës, Arjola Kodra.

Njoftimi i prokurorisë:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Iliriana Olldashi, sot më datë 29.12.2022, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 40 akti, datë 22.12.2022 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim A.D., R.M. dhe E.Sh., ndaj vendimeve nr. 82 akti, datë 11.11.2022 dhe nr. 86 akti, datë 18.11.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në lëndë të masave të sigurimit, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimeve nr. 82 akti, datë 11.11.2022 dhe nr. 86 akti, datë 18.11.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për disponimet lidhur me ankuesit A.D., R.M. dhe E.Sh.