Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Serbia përgjegjëse për tensionet në veri të Kosovës, përgjegjësi ka edhe Rama si mbështetës i Vuçiçit


Kreu i Partisë së Lirisë Meta ka denoncuar qeverinë e Serbisë për tensionet në veri të Kosovës.

Gjatë një interviste në RTSH, Meta tha se bandat që veprojnë në veri e që kërcënojnë qytetarët mbahen gjallë nga Beogradi që iu aktivizon sa herë që kërkon të krijojë tensione artificiale.

Kreu i PL-së shtoi se përgjegjës për politikën provokuese të Serbisë është edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili theksoi Meta e ka shoqëruar Vuçiçin në nismat për t’i dhënë Serbisë dominim në rajon.

“Kërcënimi i vetëm për qytetarët e veriut të Kosovës janë bandat që ushtrojnë atje aktivitete të caktuara. Përgjegjësia është e Beogradit që i mban gjallë dhe i aktivizon sa herë kërkon të krijojë situatë artificiale. Nëse Beogradi ka vazhduar një politikë të vazhdueshme provokimi, përgjegjësi ka edhe kryeministri i Shqipërisë që ka qenë shoqërues i Vuçiçit në iniciativat për t’i dhënë dominim Serbisë në rajon. Shpesh paqartësitë e Tiranës zyrtare për disa çështje mendoj se nuk i kanë shërbyer as vetë forcimit të pozitës së Kosovës duke vendosur atë në trysni të panevojshme për ta përfshirë në Ballkanin e Hapur. Apo edhe raste të tjera për të ndihmuar Serbinë që të duket si vend konstruktiv dhe për të bërë që Kosova të duket sikur është kundër bisedimeve. Serbia i shfrytëzoi këto vite për të marrë sa më shumë lekë nga BE dhe për t’u larguar nga politika e BE.” – tha Meta.