Vendosni fjalën kyçe....

Braktisin ‘Audin’ pas ndjekjes nga policia, pranga 25-vjeçarit në Fier e shpallet në kërkim 31-vjeçari, kapen 85 kg kanabis


Një person është arrestuar në Fier ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim pas një aksioni të policisë ku u sekuestrua rreth 85 kilogramë kanabis.

Policia është vënë në ndjekje të një makine ‘Audi Q7’ pas informacionit se me të po transportohej drogë ndërsa dy personat që ndodheshin brenda e kanë braktisur mjetin sapo kanë pikasur efektivët.

Gjatë ndjekjes policia ka mundur të ndalojë në fshatin Hamil 25-vjeçarin me iniciale A.T. banues në Fier ndërsa personi tjetër, N.K. është shpallur në kërkim. Pas kontrollit në mjet policia gjeti tre thasë  me drogë të dyshuar kanabis me peshë rreth 85 kg.

Njoftimi

“Sekuestrohen 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 85 kg. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar dhe në inteligjencën informative se me një automjet po transportohej lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Hamil”.

Gjatë operacionit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, 2 shtetasit që po transportonin lëndën narkotike, me një automjet tip “Audi Q7″, pasi kanë parë që po ndiqeshin nga shërbimet e Policisë, kanë braktisur automjetin dhe janë larguar. Gjatë ndjekjes nga Policia, në fshatin Hamil, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej tyre, shtetasit A. T., 25 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit në automjetin që drejtohej nga shtetasi N. R., u gjetën dhe u sekuestruan 3 thasë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale rreth 85 kg.

Në vijim të veprimeve hetimore, u shpall në kërkim shtetasi N. R., 31 vjeç, banues në Hamil, i cili drejtonte automjetin në të cilin u gjet lënda narkotike. Punohet për kapjen e tij.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.”